Bllokuan punimet në Kuvend, përjashtohen 10 ditë Berisha e Noka! 5 ditë të përjashtuar Këlliçi e Paloka

Kreu i Partisë Demokratike, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha dhe deputeti Flamur Noka, janë përjashtuar me 10 ditë nga Kuvendi. Po ashtu janë përjashtuar edhe deputetët demokratë Belind Këlliçi dhe Edi Paloka.
Vendimi është marrë këtë të mërkurë nga Komisioni Etikës, ndërsa vjen pas seancës të së hënës që u shoqërua me tensione të forta dhe protestë të deputetëve të opozitës. Deputetët e opozitës shkaktuan zhurmë përmes rënies së bilbilit, duke i ndërprerë fjalën deputetëve të maxhorancës.
Noka reagoi pas këtij vendimi, duke e konsideruar si skenarë për t’i mbyllur gojën dhe për eliminuar opozitën.
“Me urdhër të Ramë Gonigalit, vazhdon skenari për ti mbyllur gojën, për të eliminuar opozitën. Këta mendojnë se duke përjashtuar pa asnjë shkak, pa asnjë arsye deputetët e opozitës, dhe duke i bërë qejfin Ramë Gonigalit mendojnë se i shërbejnë demokracisë. Por të luftosh opozitën, të vazhdosh të marrë urdhra për ta likuiduar atë si pjesë të skenarit, kjo është vetëm vrasje e opozitës. Të jeni të sigurtë, as zonja Nikolla, as Ramë Gonigali, as të tjetër nuk do të ja arrijnë të mbyllin zërin e opozitës. Ne, demokratët, qytetarët e këtij vendi na kanë votuar aty për ti mbrojtur ata, për të folur dhe për fjalën e lirë. Pa fjalën e lirë, një parlament nuk mund të ekzistojë, ai quhet monist”, tha Noka.
Po ashtu edhe Këlliçi e konsideroi të “turpshëm” vendimin, teksa u shpreh se, sipas tij, po tentohet mohimi i fjalës së lirë.
“Kjo është një manovër e turpshme dhe po tentohet të na mohohet fjala. E vetmja gjë që kemi është fjala dhe ne nuk heqim dorë. Unë si i ri mbi të gjitha, edhe pse do të jem edhe për 1 muaj në parlament, aq sa do të kem mundësinë do të qëndroj fort për të thënë të vërtetat e të gjithë atyre shqiptarëve, e 750 mijë qytetarëve që na kanë votëbesuar në zgjedhjet e fundit dhe atyre dhjetëra mijëra qytetarëve që takoj çdo ditë që duan të dëgjojnë të vërtetën dhe duan transparencë. Do apo nuk do Edi Rama, nesër në orën 10:00 do të ketë një protestë tjetër, para parlamentit, brenda dhe jashtë parlamentit. Nëse është burrë dhe është i papërlyer ai dhe i vogli i tij në Bashkinë e Tiranës, të vijnë dhe të japin sqarime për këtë çështje, çfarë problemi ka”, u shpreh Këlliçi.
Ndërkohë opozita ka paralajmëruar për një tjetër protestë që do të zhvillohet të enjten para Parlamentit, kur edhe do të mbahet seanca plenare. Berisha paraljmëroi sot se dita e nesërme do të jetë “betejë”.
/rtsh.al/