Blushi: Bojkoti u ndërpre pasi dështoi

“Bojkoti u ndërpre, sepse ai dështoi në qëllimet e veta”, deklaroi dje deputeti Ben Blushi. Ai është rishfaqur kështu me një mendim ndryshe, në atë që mund të cilësohet “analiza e munguar” e 8 muajve politikë jashtëinstitucionale.
E mbërritur në pikën më të ulët të imponimit të vullnetit të vet, politika e selisë rozë në këta 8 muaj i ka mohuar vetes forcën e 65 deputetëve që përfaqësojnë një ekip që kontrollon vendimmarrjen specifike në Kuvendin e Shqipërisë.
Kritika e adresuar nga Blushi, i njohur edhe si anëtar i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, hedh një bazë debatimi të brendshëm, pasi ai bëhet tri ditë para mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS.
Do të jetë ky forum që do të miratojë vendimet e fundit për protesta dhe hyrjen në Parlament, ashtu sikurse do të duhet të vendosë mbi paketën e re të ndryshimeve statusore të PS.