Blushi: Harta e re administrative të vendoset nga sovrani me referendum

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi reagoi sot ndaj diskutimeve për reformën e re administrativo-territoriale, duke kërkuar që çdo ndryshim i hartës administrative të Shqipërisë t’i nënshtrohet referendumit popullor.
Në një deklaratë për shtyp Blushi tha se “të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve politike, po bashkohen kundër këtij projekti, sepse askush nuk mund të pranojë që harta administrative e Shqipërisë të copëtohet me një urdhër politik dhe të vuloset me votat mekanike të një shumice kartonësh në Kuvend. Ky nuk është një vendim i zakonshëm administrativ. Është një vendim që prek drejtpërdrejt jetën, familjet, identitetin, historinë dhe të ardhmen e çdo komuniteti shqiptar. Prandaj, fjalën e fundit duhet ta ketë vetëm sovrani”.
“Partia e Lirisë, në kushtet kur qytetarët as janë pyetur dhe as janë dëgjuar në lidhje me ndarjen e re administrative të vendit, kërkon që çdo projekt për ndryshimin e hartës territoriale të Shqipërisë t’i nënshtrohet referendumit popullor. Vetëm qytetarët kanë të drejtë të vendosin nëse duan të jetojnë në komunitete që qeverisin dhe përfaqësojnë vetveten, apo në një shtet të centralizuar që nuk ju ofron as shërbimet më bazike”, nënvizoi Blushi.
Më tej Blushi tha se “projekti antikombëtar, shpopullues dhe shkombëtarizues i Edi Ramës për zhdukjen nga harta administrative e Shqipërisë të edhe 15 bashkive të tjera nuk është reformë territoriale. Është një akt agresioni politik ndaj komuniteteve, historisë dhe identitetit të vendit”.
Blushi theksoi se “kjo reformë është një atentat administrativ ndaj mijëra familjeve dhe vendbanimeve të tyre, të cilat dënohen me braktisje të qëllimshme nga shteti, pa shërbime, me kosto shumëfish më të larta për çdo nevojë elementare dhe të detyruara të përshkojnë dhjetëra kilometra për të marrë një dokument apo një shërbim bazë”.
Sipas tij, është aplikim i një politikë mizore që e kthen jetën e qytetarëve në një kalvar të përditshëm.
“Edi Rama kërkon të përqendrojë çdo kompetencë, çdo fond dhe çdo vendimmarrje në duart e tij, të grabisë edhe qindarkën e fundit të komuniteteve vendore, çdo pasuri publike që u përket atyre dhe të përshpejtojë dëbimin e shqiptarëve nga vatrat e tyre shekullore”, tha Blushi.
Sekretari i përgjithshëm i PL-së u shpreh se “ky nuk është decentralizim, është asgjësim i Shqipërisë rurale dhe shndërrimi i vendit në një shtet të centralizuar, të zbrazur nga njerëzit dhe pa identitet”.
“Shuarja e njësive të vetëqeverisjes vendore pa konsultimin e komuniteteve të prekura cenon Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe parimin e autonomisë vendore dhe të drejtën e qytetarëve për t’u dëgjuar në ndryshimet territoriale. Më skandalozja është se askush nuk i ka pyetur shqiptarët dhe madje as socialistët vetë, që të prerë në besë nga Edi Rama po djegin masivisht teserat e Partisë Socialiste”, tha Blushi.
/k.s/r.e/