Blushi i përgjigjet Berishës: Ti je dhe kali dhe karrocieri
Blushi i përgjigjet Berishës: Ti je dhe kali dhe karrocieri
Deputeti Ben Blushi, duke iu referuar deklaratës së tij katër viteve më parë, se në PS shoferit nuk i flitet, ka ironizuar me kryeministrin Berisha, duke thënë se ai është edhe kali, edhe karrocieri në PD. Dua të them sidoqoftë autobusi jonë duhet të garojë me një karrocë këtë radhë. Ndryshimi me autobusin tonë është se kur ke të drejtë të flasësh ti, kemi dhe ne. Në rastin tjetër Saliu është edhe karroceri edhe kali edhe kamzhiku dhe balta, se karroca e tyre ecën gjithmonë në baltë. Ne do ecim më shpejt dhe do shkojmë në stacionin e këtyre zgjedhjeve me 23 qershor më shpejt se Saliu. Kemi një skuadër shumë përfaqësuese, ironizoi Blushi.
******
Rama: Aleatët tanë tradicionalë kanë pakënaqësi tradicionale
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama komentoi për herë të parë deklaratat e bëra nga dy aleatët e PS-së, Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo ku shprehnin zhgënjimin e tyre ndaj qëndrimit të mbajtur nga Rama me aleatët. Gjatë udhëtimit nga Tirana në Elbasan, ku prezantoi kandidatët e PS-së për këtë qark Rama tha se nuk ka skuadra ku të mbizotërojë konsensusi i plotë, duke i cilësuar si të pritshme reagimin e aleatëve.
Deklarata
Rama vlerësoi ekipin e PS-së duke theksuar se është një skuadër e ekuilibruar e cila ka në përbërje të saj, persona me eksperiencë por edhe prurje të reja. Nuk ekzistojnë skuadra që të kenë konsensus e të gjithëve, kjo është e pamundur. Unë besoj se ne kemi një skuadër shumë të ekuilibruar me eksperiencën e PS, me prurje të reja, me rikthime të domosdoshme, tha Rama. Rama u shpreh se kritikat e Gjinushit dhe Milos janë tradicionale ndërsa shtoi se në thelb këto ankesa nuk kanë asgjë problematike. Është organike që herë as herë aleatët tanë tradicional të kenë pakënaqësinë tradicionale, por në thelb nuk ka asgjë problematike. Jemi në një koalicion dhe do fitojmë dhe bashkë do qeverisim, deklaroi Rama.
Prezantimi
Gjatë prezantimit të kandidatëve të PS-së në qarkun e Elbasanit, kryetari i PS-së, Edi Rama akuzoi qeverinë se po bën presione ndaj punonjësve të administratës që ti bashkohen fushatës së PD-së. Mbi rrogëtaret e shtetit po bëhet presion kriminal, për ti detyruar që ti bashkohen fushatës së partisë familjare të kryeministrit dhe për ti dhunuar psikologjikisht me qëllim që tu marrin votën. Ne u themi të gjithëve mos u përulni, ruajeni vendin e punës, por mos u përulni. Zotohemi publikisht se çdo drejtor shkolle, çdo drejtor spitali, çdo drejtor i çdo pjese të shtetit që është i angazhuar për të ushtruar terror psikologjik mbi rrogëtarët, pas 23 qershorit do të dalë përpara përgjegjësisë ligjore dhe penale, u shpreh Edi Rama.
Kandidatët e PS-së për qarkun e Elbasanit
1. BEN BLUSHI
2. DAMIAN GJIKNURI
3. EVIS KUSHI
4. ALFRED PEZA
5. TAULANT BALLA
6. MUSA ULQINI
7. ARBEN KAMAMI
8. ILIR BEJTJA
9. LULJETA ARAPI
10. AGIM LEKA
11. KASTRIOT GURRA
12. MEHDI PEPA
13. ALTIN AGO
14. YMER TOLA
15. ROVENA BEQIRAJ
16. SOKOL SKURA