Blushi në rrugën e Pollos
Pas daljeve të përditshme të zëdhënëses së Partisë Demokratike, pas maratonës televizive për dorëheqjen e Ramës në kullën e Frangajve, më në fund dje u dëgjuan dy zëra nga brenda Partisë Socialiste, Ben Blushi dhe Arben Malaj. Të dy shihet qartë se synojnë të kandidojnë për kryetar të Partisë Socialiste, por që kanë një qasje të ndryshme ndaj garës.
Në shfaqjen e tij publike në gazetën "Panorama", më e afërta aktualisht me koalicionin e ri qeveritar, Blushi është qartazi kundër asaj që Rama ka bërë para zgjedhjeve dhe asaj që po bën pas zgjedhjeve dhe shihet qartë se kërkon fushë të lirë pa Ramën konkurrent, për të garuar për kreun e PS-së. Arben Malaj shihet qartë se mbetet për një garë pa kushte brenda PS-së dhe ka një gjuhë më të moderuar.
Blushi është në vijën e parë dhe shumë i ashpër. Kësisoj, nëse ai nuk merr garanci që Edi Rama nuk do të kandidojë pas dorëheqjes së imponuar nga statuti, shihet qartë që Blushi nuk do të kandidojë përballë tij. Ai do të ndjekë pak a shumë atë linjë politike që ndoqi Genc Pollo kundër Berishës.
Edhe pse s'dua të bëj magjistarin, e shoh që tani tërheqjen nga gara të Blushit, kur Rama të deklarojë se do të rikandidojë pas dorëheqjes. Kësisoj, Blushi do të ndryshojë nga fati i Pollos vetëm nga fakti se ai do të rrijë brenda Partisë Socialiste dhe s'do të formojë parti tjetër.
Ngjashmëria tjetër me Pollon në këtë lëvizje të tij është dhe mbështetja mediatike. Njësoj si Pollo atëherë, Blushi përdor mediet më afër Berishës dhe Metës. TV "Klan" dhe gazeta "Panorama", që përbëjnë praktikisht grupin e medieve proqeveritare me këtë koalicion, janë dhe vendi ku ai vetë ka zgjedhur të promovohet.
Ai ka tashmë nevojë për staturën e kundërshtarit të Ramës, ka nevojë për modelin politik të tij. Për të gjitha këto i duhet të shmangë garën përballë Ramës dhe ta kthejë atë në kapital politik.
Është pak a shumë ajo që Pollo bëri me tërheqjen e tij nga kandidimi përballë Berishës, edhe pse deri në minutat e fundit u thoshte miqve dhe mbështetësve të tij se Berishës do t'i bjerë një telefonatë dhe do të largohet nga gara. Telefonata të tilla nuk bien kurrë, pasi mbi të gjitha, telefona të tillë nuk ngrihen nga liderët tanë.
Shpresoj që beteja të mos ta lodhë dhe të mos ta zvogëlojë, që të mos ketë deri në fund fatin e Pollos, edhe për faktin se Blushi e ka shijuar ministrin e Arsimit dhe s'ia vlen t'i futet një beteje që do t'i kushtojë dhe opozitës, për aq pak sa deshi në fund Pollo. Ai është qartazi në rrugën e Pollos, por s'ka pse ndjek fatin e tij.
Shënimi mund të lexohet i plotë online në gazetatema.net dhe shekulli.com.al