Blushi prezanton programin e PL për rininë: Zgjidhja nuk është largimi, por ndryshimi

TIRANË, 24 maj /ATSH/ Në një tryezë me të rinj, përfaqësues të Partisë së Lirisë prezantuan sot programin e tyre për rininë, ku u theksua se zgjidhja për të ardhmen e Shqipërisë nuk është emigrimi, por ndryshimi brenda vendit.
Në fjalën e tij, sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, tha se largimi masiv i të rinjve gjatë viteve të fundit është pasojë e mungesës së shpresës, mundësive dhe përfaqësimit, duke e cilësuar shpopullimin si “dramën më të madhe kombëtare”.
Sipas tij, të rinjtë janë përballur me vështirësi në arsim, punësim dhe strehim, ndërsa kërkoi angazhim më të madh të tyre në vendimmarrje dhe në jetën publike. Ai theksoi se “asnjë regjim nuk është më i fortë se një rini e bashkuar dhe e vetëdijshme”.
“Ju kujtoj se çdo ndryshim i madh ka lindur nga guximi i të rinjve dhe se asnjë regjim nuk ka qenë më i fortë se një rini e zgjuar dhe e bashkuar. Shqipëria meriton të jetë Atdheu ku të rinjtë të ndërtojnë ëndrrat, të ardhmen, familjen dhe jetën e tyre me krenari e dinjitet njësoj si bashkëmoshatarët e tyre kudo në Europë. Ndaj tani është koha ta sjellim Europën në Shqipëri dhe kjo është rruga e vetme për të ndalur axhendën kriminale, antikombëtare të shpopullimit! Kjo është rruga e vetme për të rikthyer shpresën për bashkëmoshatarët tuaj. Zgjidhja nuk është largimi, zgjidhja e vetme dhe kjo është në dorën tuaj, është ndryshimi!”, tha ai.
Blushi tha se programi PL-së synon një mbështetje konkrete për familjet e reja,mbështetje financiare për nënat e reja, kredi të subvencionuara për strehim, rimbursime për shpenzimet bazë dhe “shportën e bebes”, rritje pagash dhe dyfishim të buxhetit për arsimin dhe inovacionin, ulje të tarifave universitare, si dhe masa për punësimin e të rinjve, mbështetje për start-up-et dhe lehtësira fiskale për të rinjtë dhe bizneset që i punësojnë ata.
/m.q/a.f/