E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bmb Prishtina e fortë për Besën

Nga Valon Konushevci më 25 mars 2011 në ora 11:32

Bmb Prishtina edhe njëherë ka dëshmuar se aktualisht është ekip superiorë në futsallin kosovar.

Prishtinasit të enjten mbrëma në kryeqytet e kanë mposhtur Besën me rezultat 7:4, në supersfidën e xhiros së 15-të të Superligës, i cili takim është përcjell nga një numër shumë i madh i shikuesve - prej rreth 1500 vetave, të cilët krijuan një atmosferë fantastike, gjë që rrallë herë shihet nëpër arenat tjera sportive në vendin tonë.

Në fakt, pejanët e nisën furishëm takimin duke kaluar në epërsi prej 0:2 me golat e Agon Rexhës e Artidon Kelmendit. Besa i pati edhe disa raste tjera, por portieri prishtinas, Lum Dumoshi e shpëtoj ekipin e tij disa herë pa pësuar gol.

Edhe Bmb Prishtina pati shumë raste, por në disa raste topi qëllonte shtyllat e portës, disa herë portieri i pejanëve shpëtonte ekipin e tij, e disa herë edhe fati nuk ishte në anën e vendasve. Megjithatë, prishtinasit ia dolën që ta barazojnë rezultatin në 2:2 me dy gola që i shënoi Ramadan Alaj - njërin nga penaltia.

Por, në pjesën e dytë shpërthej Bmb Prishtina, duke dominuar plotësisht gjatë kësaj periudhe të lojës. Kryeqytetasit gjatë kësaj periudhe të lojës shënuan pesë herë. Dy gola i shënoj Suad Keçi, një Ramadan Alaj, një Azem Brahimi dhe një tjetër Artan Mulaku. Ndërsa, për pejanët dy gola i shënuan Vladamir Vukqeviq dhe Artidon Kelmendi. Në këtë mënyrë, ndeshja u përmbyll me rezultat përfundimtar 7:4, për prishtinasit që po dominojnë në futsallin kosovar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›