Boateng mungon ndaj Tottenhamit?

Skuadra e Milanit mund të mos llogarisë shërbimet e mesfushorit Kevin-Prince Boateng në ndeshjen kthyese të Ligës së Kampionëve kundër Tottenhamit, që zhvillohet të mërkurën mbrëma në Londër.
24-vjeçari u dëmtua në derbin e fundjavës kundër Juventusit pas një përplasje me mesfushorin bardhezi Felipe Melo.
Sipas njoftimeve nga stafi mjekësor i klubit kuqezi, Boateng ka dëmtuar nyjën dhe mund të mungojë në përballjen mjaft të rëndësishme, duke marrë parasysh që Milani është mposhtur në San Siro me rezultat 1-0 në ndeshjen e parë.
Ndërkohë, Alexandre Pato dhe Massimo Oddo janë të sëmurë me grip, ndërsa Antonio Cassano, Mark Van Bommel dhe Urby Emanuelson nuk mund të luajnë në këtë garë.