E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bob Dylan njeri më vete

Regjisori amerikan Pennebaker në filmin "Mos shiko pas", ka fiksuar muzikantin që bëri epokë Bon Dylan në turneun e '65-ës në Angli, mes fansave, gazetarëve dhe koncerteve. Përballë tyre tregohet Dylani entuziast, i qeshur, moskokëçarës, indiferent, i xhindosur


Në Akademinë e Filmit dhe Multimedias "Marubi", u shfaq dy net përpara filmi dokumentar i regjisorit amerikan Donn Alan Pennebaker "Mos shiko pas" (Don't Look Back" (1967).


I kushtohej një prej figurave që bëri epokë në muzikën amerikane të viteve '60, Bob Dylan. Pennebaker i ishte qepur pas Dylan-it, në turneun që zhvillonte në Angli më 1965-ën dhe e ka filmuar kudo, qysh kur zbret nga avioni.


Në takimet me admiruesit, me gazetarët, në skenat gjigante duke interpretuar, në prapaskenë duke u gajasur me miqtë, në makinë tek shfleton i nevrikosur shtypin e mëngjesit, po edhe të gëzuar, indiferent, moskokëçarës, të xhindosur, të fyer, shkurt: Dylan-in njeri. "Një përfaqësues të kinemasë vérité" e quan Logoreci filmin e Pennebaker-it, duke pasur parasysh sekuencat ku Dylani sulmohet dhe sulmon, fyhet dhe fyen.


Bob Dylani është një këngëtar amerikan, muzikant dhe autor tekstesh. Ka lindur në vitin 1941, emri i tij i vërtetë është Robert Allen Zimmerman. Ka luajtur në kitarrë, piano dhe harmonikë dhe është vlerësuar me një sërë çmimesh: Grammy, Golden Globe dhe Academy Award.


Në vitin 2008 fiton Çmimin Pulitzer, çmim që juria e motivoi kështu: "Për ndikimin e gjerë në muzikën popullore dhe kulturën amerikane, nëpërmjet krijimeve lirike dhe energjisë së jashtëzakontë poetike".


"Regjisori ka punuar në kushte të tmerrshme" vijon më tej Logoreci gjatë prezantimit kritik të filmit. E ka fjalën kur Pennebaker-it i është dashur të vrapojë pas muzikantit për të mos humbur asnjë fjalë, ta filmojë shtirë, në lartësi, ngjeshur në makinë duke u shtyrë nga fansat pas koncertit.


Nga kjo punë është arritur ky rezultat, një film që tregon Dylan-in e vërtetë, "pasi të dy i kanë dhënë mundësi njeri-tjetrit të njihen".
Pennebaker, sot 84-vjeçar, që këto kohë gjendet në Berlin, kishte një mesazh për publikun e së enjtes në "Marubi":


"Çdo gjë, që për ty është e dashur, çdo gjë që për ty ka vlerë, fëmijët e tu, qeni, macja jote, vjen një ditë dhe vihen në rrezik nga njerëz që Ti nuk i njeh, njerëz që Ti nuk do t'i njohësh kurrë dhe që do t'i luftosh deri sa të vdesësh. Kjo është jeta!".


E lexuan prezantuesit e filmit, pak para se Dylan-i të pushtonte ekranin e kinemasë.
Syri i kamerës së Pennebaker-it tregoi se kishte goditur pikërisht ato që duhej të fiksonte.


Planet e para japin këngëtarin tek zbret nga autobusi me miqtë e tij, shkel në tokën angleze i rrethuar nga fansat, dhe pritet nga një tufë gazetarësh. Është i çlirët para tyre, në çdo çast duke tymosur, duke bërë shaka dhe duke i lëshuar fjalët pa të keq. Jep llogari për pyetje nga më të ndryshmet, lidhur me muzikën "popullore", me karakterin e tij, me zakonet, veset.


Dylan-i kujton fillimet e tij. Një djalë i ndrojtur, i veshur keq, me një kitarrë në dorë, që e dëgjojnë një grusht vetash. Menjëherë pas kësaj skene shfaqet në ekran salla e madhe gjysmë e errët e një koncerti, mijëra vetë që e duartrokasin, admirojnë muzikën e tij. Kështu vijon jeta dhe karriera e tij.


Tekstet e këngëve, që Dylan-i i shkruante në një makinë të vjetër shkrimi, në dhomën e tij, në shoqërinë e zërit të mikes së tij Joan Baez, frymëzohen nga histori të thjeshta: E përditshmja e një gruaje, monotonia që e rrethon, pjatat, rrobat që duhet të lajë çdo mëngjes, janë në tekstin e një këngë që i bëri të qeshnin njerëzit e ulur në stolat e "Marubit".


Temat sociale, padrejtësia, paqja, barazia, në tekstet e këngëve tij, kanë bërë për vete njerëz anembanë botës prej viteve '60. Këngët e tij, "Blowin' in the wind" dhe "The times they are A-changing", ishin himne të të drejtave të njeriut dhe lëvizjeve kundër luftës.


Është kjo arsyeja që muzika e tij, në ndryshim të vazhdueshëm, nga folk, blues, country, në rock& roll, rock, përfshirë edhe jazz, u quaj "popullore", një përcaktim që nuk e bënte të ndihej mirë Dylan-in. Në një intervistë me gazetarët e "Time Magazine", ai e thotë hapur këtë.


Ndër herët e pakta që nuk mbrohet me indiferencën dhe moskokëçarjen, por ia kthen me të njëjtën monedhë gazetarëve: "Ju nuk mund të më bëni mua të ndihem keq me ato që shkruani."


Kamera e Pennebaker-it tregon si në pasqyrë inatin e tij të akumuluar çdo mëngjes, në faqet ku zihet në gojë emri i tij. "Ju nuk më njihni mua", i drejtohet atyre duke përmendur gjithë ç'kanë shkruar, duke i numëruar të pavërtetat që kanë shkruar për të. Të nesërmen shtypi do ta quante muzikantin "anarkist", kurse ai vë buzën në gaz.


Dylan-i shfaqet në biseda për muzikën me miqtë e tij Bob Neuwirth, me këngëtaren Joan Baez, me kitarristin anglez Donovan, me agjentin e tij Albert Grossman, mes përqafimeve, fjalëve të bukura dhe autografeve që shkëmben me fansat.


Përpara një koncerti në Angli, dikush del nga turma e admiruesve, dhe i thotë: "Ti je një zhurmë e madhe ndërkombëtare" dhe duke treguar veten vijon: "Kurse unë një e vogël". Përgjigja e Dylan-it është: "Ti je ai që thua se je".


Dokumentari është bërë në një kohë kur artisti heq dorë nga kitarra akustike.
Deri atëherë në të gjitha koncertet, ai ishte i fshehur gjithmonë pas xhaketave dhe meshinave të zeza, pas syzeve të errëta, me harmonikë dhe kitarrë në dorë.


Me këtë vendim të muzikantit nuk ranë dakord shumë prej fansave të tij, madje as mikja Baez. Atë kohë ai jep një koncert në "Royal Albert Hall" Angli, në një skenë madhështore.


Pas koncertit, rruga para godinës ishte plot me fansa të tij, që e ndiqnin pas edhe pasi kishte hipur në makinë. Kur ndodhet vetëm në makinë, i thotë mikut të tij: "Ndonjëherë dhe duartrokitjet janë thjesht gjepura" (Sometimes the applauses are a kind of bullshit). Makina vazhdon ecjen e saj, bashkë me Dylan-in, që duket se e ka zët të "vështrojë pas".


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›