E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Banda" e trafikut të drogës Shqipëri - Itali

Në total janë arrestuar 28 persona, nga 36 urdhër arreste të nxjerra nga prokuroria italiane dhe ajo shqiptare në kuadër të këtij operacioni


Arrestimet u koordinuan në të njëjtën kohë në Shqipëri, Itali, Belgjikë e Greqi, duke prangosur shumicën e të kërkuarve


TIRANË- "Lindja e Diellit", është koduar operacioni i policisë i organizuar në katër shtete të ndryshme nën mbikëqyrjen e Prokurorisë së "Antimafias" Italiane dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Shqipëri, për të shkatërruar një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës.


Ky operacion i filluar mëngjesin e ditës së djeshme në katër shtetet e ndryshme, atë të Italisë, Belgjikës, Greqisë dhe Shqipërisë, është finalizuar po mesditën e djeshme me arrestimin e 28 personave dhe shpalljen në kërkim të 8 të tjerëve.


Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës, të cilët njoftuan se pjesë e këtij operacioni ndërkombëtar ka qenë edhe Shqipëria, ku nga ana e prokurorisë janë lëshuar 9 urdhër arreste ndaj të dyshuarve që jetojnë në Shqipëri, ku pesë prej tyre janë arrestuar dhe 4 të tjerë janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.


Gjithashtu mësohet se pesë të arrestuarit në Shqipëri: Mariglen Hallka, Pilo Zanaj, Fatbardh Kapllanaj, Daniel Likaj dhe Artur Demaj dyshohet se janë pjesë e grupit që siguronin "mallin" dhe më pas e nisnin atë me gomone nga brigjet e Vlorës drejt Italisë. "Procedimi penal në Shqipëri është regjistruar në nëntor të 2009, menjëherë pas ardhjes së materialeve hetimore nga prokuroria e qytetit të Leçes në shtetin fqinjë.


Me të ardhur këto materiale, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka filluar hetimet për identifikimin e personave që prej dy vitesh 2005- '07 kishin nisur në drejtim të Italisë me gomone 1300 kg marijuanë dhe 10 kg heroinë. Pas hetimeve disa mujore është arritur të identifikohen shtetasit shqiptarë që ishin pjesë e këtij rrjeti dhe mëngjesin e djeshëm janë arrestuar pesë prej tyre"-thanë burimet nga prokuroria.


Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda u zhvillua një konferencë për media, ku u bënë të ditur detaje të këtij operacioni ndërkombëtar mes Shqipërisë, Italisë, Belgjikës dhe Greqisë.


Sipas këtyre burimeve, mësohet se në shtetin italian, policia (Guardia di Financa) ka arrestuar 21 shtetas shqiptarë e italianë si dhe ka shpallur në kërkim katër të tjerë. Në shtetin Belg autoritetet e atjeshme në një orar kanë filluar operacionin duke arrestuar një shtetas të tyre, ndërsa autoritetet e policisë Greke kanë arrestuar 3 shtetas të ndryshëm.


Në mesin e të arrestuarve në Itali, mësohet se, janë 16 shtetas shqiptarë të cilët pasi pranonin "mallin" e ardhur me gomone nga vendi i tyre në brigjet e Salentos në Leçe dhe më pas e shpërndanin drogën nëpër qytete të ndryshme ku shumica shpërndahej tek "porositësit" në Sicili. Pas shitjes së "mallit", fitimi mes tyre ndahej në mënyrë të barabartë, ku në Shqipëri dërgoheshin lekët e fitimit dorazi ose me kompanitë e transferimit të parave.


Gjithashtu, mësohet se gjatë përgjimeve telefonike kohët e fundit, prokuroria e Leçës kishte arritur të kapte disa kode bisedash, ku "ngarkuesit" në Shqipëri planifikonin t'i dërgonin "shpërndarësve" të tyre në Itali një sasi prej 1500 kg marijuanë e vjel nëpër fshatrat e jugut në vend.


Sipas prokurorisë, të arrestuarit në Shqipëri siguronin "mallin" dhe më pas me ndihmën e gomoneve që kalonin në kanalin e Otrantos dhe gjirin e Karaburunit nismin drogën për në Itali dhe Greqi, nga ku më pas shpërndahej në vende të ndryshme sipas porosive.


Dyshohet se gjatë vitit 2005 - '07 të arrestuarit në Shqipëri i kanë dërguar "shokëve" të tyre në Itali rreth 10 kg heroinë në dy raste dhe në katër raste 1300 kg marijuanë me anë të gomones.

Droga rrugë "nën hundën" e moratoriumit


TIRANË- Për herë të parë në historinë e drejtësisë shqiptare, dje është organizuar një operacion i përbashkët i prokurorive të katër shteteve, atë italian, shqiptar, belg dhe grek, duke urdhëruar arrestimin e 36 personave të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal që trafikonin lëndë narkotike.


Vetë kryeprokurorja Ina Rama e shoqëruar nga kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Olsian Çela dhe njëri nga dy prokurorët e çështjes, Ened Nakuçi, zbarkuan në Itali për të ndjekur nga afër operacionin e "Lindja e Diellit" për shkatërrimin e rrjeti të trafikut të drogës me pikënisje nga Shqipëria.


Edhe pse gjatë viteve të aktivitetit të kësaj bande 2005-'07 në Shqipëri ndodhej në fuqi ligji i "moratoriumit" të ndalimit të skafeve, trafikantët kishin arritur të thyejnë këtë ligj duke transportuar për 6 herë në drejtim të brigjeve italiane drogë të ngarkuar në gomonet e ndryshme.


Kështu, paraditen e djeshme kryeprokurorja Rama, prokurori Çela dhe Nakuçi të shoqëruar nga prokuroria e "Antimafias" së qytetit të Leçës kanë dalë para medieve duke bërë publike finalizimin e këtij operacioni duke vënë në pranga 28 persona, 8 të tjerë të shpallur në kërkim dhe 15 të shoqëruar të cilët pasi janë marrë në pyetje janë liruar.


Mësohet se operacioni ka filluar njëkohësisht në katër shtete në ora 5 të mëngjesit duke përfunduar në 10 të paradites së djeshme, me arrestimin e të dyshuarve kryesorë të këtij rrjeti të trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali e Greqi dhe më pas në Belgjikë. Sipas prokurorisë, dyshohet se heroina vinte nga vendet e lindjes dhe më pas hynte në Shqipëri nga Maqedonia ndërsa marijuana gjendej në Shqipëri.



Të arrestuarit në Shqipëri
Marenglen Hallka, i datëlindjes 27.02.1977, lindur e banues ne Fier.
Fatbardh Kapllanaj, i datëlindjes 16.12.1976, lindur e banues në Kaninë, Vlorë.
Pilo Zanaj, i datëlindjes 08.05.1982, lindur e banues në Vlorë.
Daniel Likaj, i datëlindjes 18.07.1987, lindur e banues në Vlorë.
Artur Demaj, i datëlindjes 04.07.1973, lindur e banues në Vlorë.


Italianë të arrestuar në Itali
Alessandro Parrela 34 vjeç,
Sebastian Vaçirka 33 vjeç,
Natale Çiçiari 36 vjeç,
Xhanfranko Grimaldi 34 vjeç,
Dario Sferaza 27 vjeç
Mauricio Kanoleta 40 vjeç.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›