Boboshtica, Gjykata dënon 1 vit burg kreun e OMONIA-s

Dy punëtorët e betonizimit të varrezave në seancën e djeshme
Gjykata e Korçës dënoi dje me një vit burg kreun e OMONIA-s së këtij qarku, Naum Disho, me akuzën e dhunimit të varreve të vjetra të fshatit Boboshticë.Ndërsa dy punëtorët që kryen punime në këto varreza, Alqi Koroveshi dhe Luan Zaçe, janë dënuar me 6 muaj burg, por me kusht që nëse përsëritin një vepër penale për një periudhë kohore prej 18 muajsh, marrin dënim edhe për këtë çështje. Një seancë më parë prokuroria kërkoi 2 vjet burg për kreun e OMONIA-s dhe nga 6 muaj burgim për dy punëtorët që kryen punimet prej betoni në varrezat e Boboshticës. Sipas organit të akuzës, nga hetimi i kryer ka rezultuar dhunimi i varreve deri në nxjerrje të eshtrave, apo betonizim të këtyre eshtrave. Sipas gjykatës, këto punime janë kryer me iniciativën dhe sponsorizimin e kreut të OMONIA-s, Naum Disho, pak kohë para se në këto varreza të zhvillohej ceremonia e përvitshme në memorialin e ngritur për nder të një ushtari grek të vrarë në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Disho u dënua me akuzën e dhunimit të varreve për shkak të ndërhyrjes me punime betoni në zgjerim të një platforme prej betoni dhe ngritjen e shkallëve po prej betoni mes për mes varrezave, duke i pastruar ato më parë nga shkurret dhe bari. Sipas konkluzioneve të dhëna nga ana e gjykatës, në seancën për dhënien e vendimit, akuza e ndërtimit të paligjshëm nuk është e bazuar, ndaj i dënoi tre të pandehurit vetëm për një vepër penale, atë të dhunimit të varreve në bashkëpunim. Menjëherë pas dhënies së këtij vendimi ka pasur reagime sidomos nga të afërm të dy punëtorëve, Alqi Koroveshi dhe Luan Zaçe. Ata kundërshtuan vendimin duke pretenduar se familjarët e tyre janë të pafajshëm, pasi ata kanë qenë thjesht punëtorë krahu të paguar për të kryer punimet. Ky reagim me tone të ashpra i të afërmve të dy punëtorëve ka bërë që për shkak të protestës së tyre, ata të nxirren me forcë nga salla e gjyqit. Avokati mbrojtës i Dishos pretendoi se në këtë rast nuk ka asnjë çështje penale për faktin se qëllimi i Dishos nuk ka qenë të dëmtojë varret, por të investojë për të përmirësuar infrastrukturën e tyre. Por, edhe pse mbrojtja solli në seancë argumente kundër akuzës që ngrihet mbi Naum Dishon, ky i fundit nuk është lehtësuar prej saj. Skandali i varrezave të Boboshticës nisi disa muaj më parë, kur banorët e fshatit denoncuan dhunimin e betonizimin e varreve, madje nxjerrjen e eshtrave në sipërfaqe.
SEANCAT
Gjatë seancave gjyqësore në Gjykatën e Korçës, dëshmitarët e thirrur nga akuza kanë deklaruar se kishte qenë kreu i OMONIA-s për qarkun e Korçës, Naum Disho, ai që kishte sponsorizuar betonizimin. Sipas tyre, në dijeni ka qenë edhe Konsullata, por kjo e fundit, për mungesë fondesh, nuk kishte sponsorizuar. Në pyetje janë marrë edhe prifti i kishës së Boboshticës dhe kreu i komunës Drenovë, i cili mohoi të kishte dhënë leje për punimet e kryera.
Disho: Dënimi politik, i ndikuar nga origjina ime
KORÇE – “Dënimi im është politik dhe i ndikuar mediatikisht për shkak të origjinës sime vllaho-greke”. Kjo ka qenë deklarata e kreut të OMONIA-s të qarkut të Korçës, Naum Disho, pasi Gjykata e këtij rrethi vendosi dënimin e tij me një vit burg me akuzën e dhunimit të varreve. Disho nuk e ka mohuar sponsorizimin e tij për punimet e kryera në këto varreza, por sipas tij, ato janë kryer me qëllimin që të përmirësohej infrastruktura para festimeve të përvitshme në memorialin e ushtarëve të rënë grekë. Ai ka mohuar të ketë pasur qëllim që të dhunohen këto varre. “Unë mendoj se kam bërë diçka humane për të nderuar dy ushtarë grekë, por edhe për të rregulluar infrastrukturën në këto varreza. Vendimi i Gjykatës është politik. Ky është një vendim politik për shkak të origjinës sime vllaho-greke. Në këtë rast s’ka çështje penale, por është thjesht mediatike. S’jam dakord me vendimin e Gjykatës dhe normalisht që do ta apeloj këtë vendim”, u shpreh pas vendimit të djeshëm kreu i OMONIA-s, Naum Disho. Po ashtu si ai, edhe punëtorët e marrë si të pandehur për dhunimin e varreve të Boboshticës në bashkëpunim, Alqi Koroveshi dhe Luan Zaçe, u shprehën se do të apelojnë vendimin e Gjykatës.
KORÇE/ GEZIM ASHIMI