U kap me arsenal armësh, Gjykata e Tiranës lë në burg Armand Pezën

Armët e sekuestruara në Pezë
TIRANE – Gjykata e Shkallës së Parë vendosi dje masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Armand Peza, 33 vjeç, i arrestuar me një arsenal armësh në Pezë, tri ditë më parë. Për shkak të afateve ligjore që po kalonin, Gjykata e kryeqytetit zhvilloi dje seancën për caktimin e masës së sigurisë ndaj dy personave të akuzuar për ngjarjen. Pasi dëgjoi kërkesat e palëve, Prokurorisë dhe avokatëve, gjykata vendosi masën “arrest me burg” për shtetasin Armand Peza, duke e akuzuar atë se ka kryer veprat penale “kanosje për shkak të detyrës ndaj efektivit të policisë”, “armëmbajtje pa leje” dhe “shkatërrim prone”. Trupi gjykues vendosi ndërkohë masën “detyrim paraqitje” për shtetasin Xhimi Hasanbega, duke e akuzuar atë vetëm për kryerjen e veprës penale “moskallëzim krimi”. Sipas Prokurorisë dhe Gjykatës, Hasanbega nuk ka marrë pjesë aktivisht në kryerjen e veprave penale, mirëpo ai ka qenë në dijeni të mbajtjes së armëve dhe të fakteve të tjera kriminale. Tri ditë më parë, policia e kryeqytetit deklaroi se në kuadër të operacionit të koduar “Mini Blovv II”, i realizuar nga Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve, u realizua sekuestrimi i një arsenali armësh si dhe bllokimi i një sasie prej 200 gramësh pluhur, që u dyshua si kokainë, por që më pas doli se ishte përzierës. Po kështu, policia tha se shtetasve Armand Peza dhe Xhimi Hasanbega iu sekuestruan edhe 6 copë armë zjarri automatik model “56″ dhe model “54″, një granatëhedhëse, një pushkë snajper, dy dylbi snajperi, 20 copë krehëra arme zjarri, 9 copë predha granatëhedhëse të lehta antitanke dhe 6100 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm.