Bocetet në garë për Monumentin e Pavarësisë

Pesë bocetet e artistëve, Thoma Thomai, Pjerin Kolnika, Blerta Xhomo & Ilirjan Shima, Visar Obrija & Kai Kiklas si dhe Jorg Plickat, u bënë publike në Galerinë Kombëtare të Arteve, nga ministri i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi dhe drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima.
Ministri Bumçi tha se pas përfundimit të kësaj faze të parë, në fazën e dytë të përzgjedhjes së fituesit do të bëhet vlerësimi edhe nga publiku, i cili do të mund të shikojë bocetet në GKA dhe të votojë aty apo në internet. Bumçi u shpreh edhe në lidhje me sheshin se ku do të vendoset monumenti, i cili ende nuk është vendosur dhe ky fakt ka hapur shumë debat.
“Vepra nuk vjen nga sheshi, nuk është ai që e përcakton monumentin, por 100 vjetori i Pavarësisë. Vepra qëndron më vete për atë që duhet të prezantojë, sheshi është dytësor”, tha Aldo Bumçi. Ministri shprehu edhe bashkëpunimin me pushtetin vendor pasi, sipas tij, edhe veprat e tjera veç fitueses, meritojnë të jenë pjesë e qyteteve të Shqipërisë pasi secila prej tyre ka të mishëruar mesazhe të fuqishme.
Thoma Thomai është ndër të përzgjedhurit. I frymëzuar nga imazhi i flamurit ai ka ideuar një flamur në valëvitje në një strukturë moderne, në materialin prej bronzi, shkëlqimi i të cilit do t’i ndryshojë pamje monumentit në varësi të dritës që do të reflektojë peizazhin përreth në të.
Skulptori Pjerin Kolnika prezanton një vepër monumentale të lartë, një mbivendosje e 100 shtresave mermeri të bardhë që krijojnë edhe zig-zake që simbolizojnë ndryshimet në historinë e Shqipërisë. Në trupin e kolonës së formuar shfaqen edhe 10 kuba anësorë që simbolizojnë 10 dekadat e këtij njëqindvjeçari.
Ndërsa boceti i tretë shqiptar është një bashkëpunim mes Blerta Xhomos dhe Ilirjan Shimës, të cilët propozojnë një variant të stilizuar të shqiponjës dykrerëshe. Shqiponja përbëhet nga dy pjesë të shkëputura në pjesën e sipërme që bashkon poshtë në qendër për të dhënë idenë e rrotullimit duke marrë një formë harkore. Në qendër të skulpturës është menduar të vendoset një pishtar zjarri.
Një tjetër bashkëpunim i përzgjedhur është ai mes një artisti nga Kosova, Visar Obrija dhe atij gjerman, Kai Roman Kiklas. Frymëzimi i tyre ka ardhur nga banesat tradicionale shqiptare si simbol i qëndresës në shekuj. Idenë e tyre e kanë shprehur përmes një banese të hapur si dy gjysma kubi ku njëra gjysmë mbart çatinë e tjetra platformën, mes të cilave qytetarët mund të kalojnë. Në faqet e brendshme të saj do të gdhendet shqiponja dhe Deklarata e Pavarësisë.
Një tjetër fitues është autori i skulpturës së Lojërave Olimpike në Pekin, Jorg Plickat, i cili propozon një monument lehtësisht të kuptueshëm, dy hallka të hapura zinxhiri që simbolizojnë çlirimin e popullit.
Kryetari i jurisë ndërkombëtare, Rubens Shima i cilësoi 5 bocetet e përzgjedhura si shumë përfaqësuese dhe prurjet më interesante që solli ky konkurs, të përzgjedhura nga një sistem pikësh, i cili do të bëhet publik më vonë, për të mos ndikuar në votimin e publikut. Pas votimit të publikut dhe vlerësimit me pikë të jurisë, Komisioni Shtetëror i Festimeve do të përzgjedh monumentin fitues.
Ky është konkursi i dytë ndërkombëtar në Shqipëri, ku morën pjesë 61 artistë shqiptarë e të huaj, pas atij në vitin 1937, i shpallur nga Monarkia e Shqipërisë për figurën e Skënderbeut mbi kalë që nuk u realizua për shkak të pushtimit.