Gjyqtarët i ndihmojnë Messit

Selektori i Argjentinës, Alejandro Sabella beson se gjykimi i rreptë në La Liga i ka mundësuar yllit të Barcelonës Lionel Messi të shndërrohet në futbollistin më të mirë në botë.
Tri herë fituesi i Topit të Artë është pa dyshim lojtari më i mirë i gjeneratës së tij. Më 20 mars, Messi realizoi tre gola në fitoren e Barcelonës ndaj Granadës dhe tejkaloi rekordin e Cesar Rodriguezin prej 232 golave për gjigantin katalan duke dalë në krye të listës së realizatorëve më të mirë në histori të klubit.
Kurse, për dallim nga paraqitjet e tij në La Liga, Messi ka mesatare prej vetëm një goli në çdo tri ndeshje për Argjentinën. Sabella mendon se paraqitjet e shkëlqyeshme të Messit në Kampionatin spanjoll janë edhe rezultat i gjyqtarëve të cilët nuk lejojnë lojë të ashpër. “Në Spanjë gjyqtarët janë më striktë ndaj lojës fizike. Për dallim, në Amerikën e Jugut ata janë më tolerantë”, tha Sabella gjatë një interviste për Radio Sport Telam.
“Nëse luani atje (në Spanjë), ka më shumë kartonë të verdhë dhe të kuq dhe kjo është arsyeja pse Messi është më i mirë në Spanjë sesa me Argjentinën. Gjëja më e mirë është se Messi është argjentinas dhe është ambasador i vërtetë i shtetit të tij. Kjo na ndihmon ne në fushë dhe na bën të dukemi mirë edhe jashtë saj për shkak të sjelljes së tij shembullore”, shtoi ai.
Sabella nuk harroi të përmendë kualitetet e pamohueshme të Messit në nivelin e klubeve, diçka që është lënë nën hije nga arritjet e tij dukshëm më të vogla në arenën ndërkombëtare. Në fakt, Sabella mendon se Messi është aq i mirë sa që Royal Academy of Spain – institucion përgjegjës për rregullat e gjuhës spanjolle – duhet të zbulojë një fjalë të re për të përshkruar talentin e futbollistit.
“Royal Academy of Spain duhet të gjejë një fjalë për ta definuar Messin saktësisht. Për mua, si trajner, është privilegj të punoj me të”, përfundoi Sabella.
Të martën, Messi u bë futbollisti me më së tepërmi gola të shënuar brenda një edicioni të Ligës së Kampionëve me dy penalltitë që konkretizoi në fitoren e Barcelonës ndaj Milanit me rezultat 3-1 në ndeshjen e dytë çerekfinale. Rekordi aktual i Messit prej 14 golash është më i mirë se ai i kaluari i mbajtur nga Ruud van Nistelrooy, i cili kishte shënuar 12 herë në edicionin 2002/03 sa ishte anëtar i Manchester Unitedit.