E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Ekonomia jonë i rezistoi krizës së eurozonës

Ministri i Financave, Ridvan Bode, pasi ka bërë një ekspoze të krizës në eurozonë dhe termave makroekonomikë dhe financiarë ndërkombëtarë, duke iu referuar raportit më të fundit të FMN-së, u shpreh se ekonomia shqiptare ka njohur dhe po njeh një rritje të qëndrueshme. “Sipas vëzhgimeve të të gjithë partnerëve ndërkombëtarë (KE, FMN, BB etj), ekonomia shqiptare dëshmoi një qëndrueshmëri të admirueshme. Viti 2010 vijoi progresin e qëndrueshëm të dekadës së fundit, duke siguruar rritjen nga më të lartat ekonomike në rajon e eurozonë dhe duke mundësuar trefishimin e PBB për frymë brenda një dekade. Rritja ekonomike prej 4%, në vijë me parashikimet e qeverisë, u bazua në radhë të parë nga një rimarrje e fortë e konsumit krahasuar me një vit më parë. Konsumi privat gjatë vitit 2010 u përmirësua ndjeshëm, edhe pse roli i tij mbeti jo përcaktues në kërkesën agregate. Importet e mallrave të konsumit të përllogaritura në lekë u rriten me rreth 11% në vitin 2010 në terma vjetorë, kundrejt një rritjeje prej vetëm 1.3% më 2009-n dhe një rritjeje mesatare vjetore prej 10,4% që nga viti 2001.”- tha Bode.

Sipas tij, për vitin 2010 të ardhurat totale në buxhetin e konsoliduar arritën në 324.7 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet totale arritën në 362.8 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2009, të ardhurat ishin 8.6% më të larta, ndërsa shpenzimet u zvogëluan me 4.5%. Deficiti fiskal u përgjysmua, duke rënë në 38 miliardë lekë nga kreditë e zhvillimit. Gjithashtu, ministri u shpreh se “Buxheti faktik i vitit 2010 është audituar në kohë dhe sipas ligjit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili i gjeti të dhënat të përputhura me transaksionet e kryera nga thesari në sistemin bankar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›