E Diel, 1 Nëntor 2026

Debatet Berisha-Majko-Ruçi në Kuvend për buxhetin faktik

SHKRUAN: Sabina Veizaj 07-10-2011 11:57

Kuvendi miratoi dje pas një séance maratonë me 71 vota pro të maxhorancës dhe 53 vota kundër të opozitës Buxhetin Faktik të vitit 2010. Prezantimi i buxhetit ngjalli debate të ashpra të mbushura me akuza e metafora të ndërsjella mes kryeministrit Berisha dhe deputetëve socialistë Gramoz Ruçi e Pandeli Majko.

Opozita

Ish-kryeministri Majko gjatë fjalës së tij e akuzoi kreun e qeverisë se ka folur jashtë temës, duke e nisur diskutimin e tij me vdekjen e Stive Jobs, ndërsa opozita ishte duke pritur diskutim serioz për buxhetin. Duke e krahasuar qeverinë e djathtë me anijen e Titanikut, Majko u shpreh se “E fillove me Sitive Jobs, kur duhet të flisje për buxhetin. Orkestrantët e Titanikut u kthyen në heronj, sepse ata vazhdonin të luanin muzikë kur anija po fundosej, ndërsa qeveria jonë vazhdon t’i bjerë qemanesë e të na thotë se gjithë gjërat shkojnë vaj. Ne e dimë shumë mirë se “Titaniku” ynë ka futur ujë dhe ka ajsbergun përballë, ti na thua është akullore. Ti je Kryeministër, mbaj vendin që të takon, mos bëj deklarata për pensionistët, se na vë në pozitë të vështirë kur thua nuk kujdeseni ju”. Më tej Majko pyeti Berishën për borxhin që u ka qeveria ish-pronarëve dhe ish-të përndjekurve. “Ministrat tuaj a i keni pyetur se sa është borxhi që shteti shqiptar duhet t’u njohë të përndjekurve dhe ish-pronarëve? Mbajte një faqe e gjysmë retorikë për Stive Jobs, por a e di ti se një djalë i ri, një gjykatës, u vra në mes të Vlorës nga mafia e pronave, që sot është realitet? Uroj që të mos vijë dhe këtu mafia e tokave. Shpike legalizimin, legalizove antikomunizmin dhe pastaj shtëpitë e ndërtuara në tokë të paligjshme. Ky është realiteti, ky është buxheti faktik, nuk e votoj këtë legalizim buxheti”, tha Majko.

Berisha

Në përgjigje të Majkos, kreu i qeverisë, Berisha, garantoi se qeveria e tij do të ndjekë një rrugë të ndershme për kompensimin e ish-pronarëve dhe dëmshpërblimin e të përndjekurve. “I nderuar zotëri, se çfarë ndodhi me Titanikun atë e faktoi 8 Maji. Nuk është se nuk notuam, nuk është se nuk u ballafaquam, problemi është se ju keni dhuntinë e vetme që realitetin ta pranoni siç ju pëlqen juve dhe jo siç është. Ti për 8 vite me radhë nuk u dhe asnjë qindarkë të vetme as pronarëve dhe as të përndjekurve. Nuk zbatove asnjë germë për ligjin e të përndjekurve, ndërsa për pronarët nuk bërë asnjë ligj dhe u the shkoni te partia juaj. Jam i vetëdijshëm që ata sot kanë marrë pak, por jam i vendosur për një rrugë të ndershme të dëmshpërblimit dhe të kompensimit të tyre”, deklaroi Kryeministri. Në të njëjtën kohë kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, akuzoi kreun e qeverisë se kur duhet të fliste për rendin e ditës i drejtoi gishtin opozitës për dështimet e veta, në një kohë kur duhet të ndodhte e kundërta. “Ti nuk ke të drejtë, duhet të japësh llogari, jo të kërkosh llogari”,- theksoi Ruçi, duke akuzuar sërish qeverinë se ka varfëruar xhepat e shqiptarëve duke mos plotësuar dy elementet më jetike: ushqimet dhe ilaçet. ”Fytyra njerëzore e qeverisë është buxheti, kjo fjalë e jotja është e vërtetë. Qytetarët shqiptarë, mbijetesa e tyre shihet nga dy elemente, nga ushqimi që hanë dhe ilaçet që kurohen. Ju rritët TVSh-në, ndërkohë që për ilaçet mund të them që ju keni qenë mjek i vlerësuar nga shqiptarët, por ata nuk do ta falin që e ke dërguar shëndetësinë 1 shekull prapa",- u shpreh Ruçi. Ndërsa kryeministri Berisha nga ana e tij tha se, “nëse i thoni shqiptarëve që ka 13% kjo dhe aq kjo tjetra, me dashje dhe pa dashje u thua shqiptarëve që keni mundësinë t’i gënjeni. TVSh ishte 21% dhe tani është të 22% në kohën tonë. Krijoni komision parlamentar dhe hetoni. Mua më duhet të mbroj interesat e qytetarëve”. Kurse deputeti socialist Erion Braçe akuzoi qeverinë se “rritja ekonomike është stimuluar nga borxhe të mëdha publike dhe private. Shtesa e borxhit publik zë 97% të asaj rritjeje ekonomike që raportohet nga qeveria.”

Replikat

Majko: Titaniku ynë ka përballë ajsbergun, ti na thua është akullore.

Berisha: Se çfarë ndodhi me Titanikun, atë e faktoi 8 Maji.

Majko: Ti shpike legalizimin, legalizove antikomunizmin dhe pastaj shtëpitë e ndërtuara në tokë të paligjshme.

Berisha: Jam i vendosur për një rrugë të ndershme të dëmshpërblimit dhe të kompensimit të tyre.

Majko: Ti je Kryeministër, mbaj vendin që të takon, mos bëj deklarata për pensionistët, se na vë në pozitë të vështirë kur thua nuk kujdeseni ju.

Majko: Mbajte një faqe e gjysmë retorikë për Stive Jobs, por a e di ti se një djalë i ri, një gjykatës, u vra në mes të Vlorës nga mafia e pronave, që sot është realitet? Uroj që të mos vijë dhe këtu mafia e tokave.

Berisha: Ti për 8 vite me radhë nuk u dhe asnjë qindarkë të vetme as pronarëve dhe as të përndjekurve. Nuk zbatove asnjë germë për ligjin e të përndjekurve, ndërsa për pronarët nuk bërë asnjë ligj dhe u the shkoni te partia juaj. Jam i vetëdijshëm që ata sot kanë marrë pak, por jam i vendosur për një rrugë të ndershme të dëmshpërblimit dhe të kompensimit të tyre.

Ruçi: Ti duhet të japësh llogari, jo të kërkosh llogari. Ke varfëruar xhepat e shqiptarëve.

Berisha: Krijoni komision parlamentar dhe hetoni.

Braçe: Rritja ekonomike është stimuluar nga borxhet e mëdha publike dhe private.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›