PS: Ktheni përgjigje për paktin, PD: Hiqni postbllokun
Kuvendi i Shqipërisë nuk ka mundur sërish dje që të miratojë asnjë nga nismat ligjore që kërkojnë 3/5 e votave të gjithë deputetëve, pavarësisht se në rendin e ditës ishin përfshirë thuajse të gjitha projektligjet që qëndrojnë në pritje prej më shumë se dy vjetësh. Kjo pasi opozita nuk ka pranuar edhe një herë të japë votën e saj, ndërsa e ka konsideruar përfshirjen e këtyre nismave si provokim për sa kohë që mazhoranca nuk ka kthyer përgjigje për paktin dhjetëpikësh të Edi Ramës, ku sipas saj, trajtohet dhe kjo çështje. Ndërkohë që nga ana tjetër mazhoranca ka akuzuar socialistët se kanë vendosur paktin e tyre si postbllok për procesin e integrimit.
Ruçi
Pavarësisht se shpresat për një qëndrim të ndryshuar të opozitës lidhur me ligjet që kërkojnë 3/5 e votave në Kuvend ishin thuajse zero, kryeparlamentarja Topalli ka rihapur sërish debatin, duke kërkuar në mënyrë këmbëngulëse nga ana e kryetarit të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, një qëndrim lidhur me këto nisma. Por pavarësisht këtij insistimi, përgjigja e Ruçit ka qenë thuajse ajo që ai ka shprehur edhe në dy seancat e mëparshme, duke vënë në pah se është e pakuptimtë që futen nisma të tilla, për sa kohë opozita e ka bërë të ditur qëndrimin e saj me paktin që i ka paraqitur mazhorancës. “Lidhur me këtë, ne ju kemi bërë një ofertë, që të mandatohet komisioni i Ligjeve që brenda këtij sesioni, që do të thotë brenda 2011-ës, të trajtojë në bashkëpunim me një grup “ad hock” konstitucionalistësh, grupe interesi, ekspertë të BE-së, rasti pas rasti, të gjitha nenet dhe projektligjet sipas fushave, në një proces të hapur dhe transparent, siç thotë rekomandimi i BE-së. Ne marrim angazhimin të japim dakordësinë me votën tonë të çdo rezultati që do të sjellë kjo procedurë sipas rekomandimit të BE-së.
Mos provokoni!” - tha Ruçi në fjalën e tij, ndërsa ka kërkuar përgjigje zyrtare lidhur edhe me paktin dhjetëpikësh.
Patozi
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi ka kërkuar edhe një herë nga opozita që të heqë dorë nga përpjekjet për të bllokuar procesin integrues dhe të angazhohet që të plotësojë 12 rekomandimet e BE-së, duke dhënë votën e saj për ligjet me 3/5-at. Ai nuk ka nguruar ta konsiderojë paktin që ka paraqitur opozita me dhjetë pika, si një kushtëzim që ajo i bën reformave integruese për interesa të ulëta. “Edi Rama ka shkruar një hartim me 10 pika dhe e ka vënë atë si postbllok, duke thënë se pa kaluar atë, PS-ja, e për rrjedhojë edhe Kuvendi i Shqipërisë, (sepse opozita zotëron pakicën bllokuese të shumicës së cilësuar), nuk do të bëjë asnjë hap para për integrimin. Kaq e thjeshtë është historia, të tjerat janë retorikë”, - tha Patozi. Më tej ai ka theksuar se 10 pikat e paktit të opozitës, në formë, në kohë dhe në përmbajtje janë qerrja, ku Edi Rama kërkon të hipë procesin e integrimit. “Janë një dredhi naive ballkanase, një rreng fëminor për të larë duart me një detyrim të madh, me përgjegjësinë e opozitës në një proces jetik për vendin, i cili sigurisht që do të ketë fatin e të gjitha hileve të vogla që bëhen për të rrëzuar çështje të mëdha”, - tha Patozi. Duke mos dashur të merret drejtpërdrejt me paktin e propozuar në tërësinë e vet, Patozi ka veçuar se mazhoranca është e gatshme që të japë votën e saj për 12 rekomandimet e BE-së, 52 rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për reformën zgjedhore, si dhe për ta përshtatur rregulloren e Kuvendit sipas standardeve të Parlamentit Europian. “Edi Rama thotë se integrimi nuk mund të jetë si vallja e shpatave, që kërcehet vetëm. Plotësisht dakord me të. Ka të paktën tre vjet që këtu mungon pa arsye partneri i tangos. Por është po aq e vërtetë se ne nuk mund të kërcejmë ‘ra Faja prej fiku’, sa herë që Edi Rama humb zgjedhjet”, - tha Patozi, ndërsa propozimet e tjera që përmban pakti i ka konsideruar si përpjekje për pazar me qëllim final postin e presidentit.