Bode: Kujdes krizën ekonomike në rajon
Kriza ekonomike që ka prekur disa vende të rajonit, në mënyrë të veçantë vendin fqinj grek, rrezikon të ndikojë jo pak në ekonominë tonë. Paralajmërimin e jep ministri i Financave, Ridvan Bode. I gjendur në një konferencë të organizuar nga BSH-ja dhe banka gjermane për zhvillim KfW-ja, ministri tha për herë të parë se Shqipëria nuk është imune ndaj krizës në rajon. “Edhe pse sistemi ynë bankar ishte likuid, edhe pse mbikëqyrja ishte eficiente, ne nuk mund të themi se një vijim i problemeve të sistemit financiar të bankave të rajonit, të bankave që kanë bijat e tyre në Shqipëri, do të mund të kursejë një vend, sado i izoluar apo sado avantazhe që mund të këtë në një fazë fillestare”, tha ministri i Financave. Sipas tij, sistemi financiar edhe në rajonin tonë edhe më gjerë nuk është një sistem i izoluar që operon me tregje dhe rregulla të ndara aq më tepër që në Shqipëri, pjesa dërrmuese e bankave zotërohen nga investitorë të huaj. Më tej, kreu i Financave, vuri në dukje faktin se ekonomia shqiptare ka nevojë për kreditim, niveli i së cilës është tkurrur ndjeshëm në dy vitet e fundit.
#