E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtarakët sërish tek Avokati i Popullit, kërkojnë kthim në detyrë

Ankesa

Forcat ushtarake komando të liruara nga detyra i janë drejtuar sërish dje zyrës së Avokatit të Popullit, duke u ankuar këtë herë me anën e një shkrese zyrtare. Një përfaqësi e tyre janë pritur nga ndihmëskomisionari Sotiraq Nushi, i cili merret me çështjet policore e ushtarake. Prej tij, komandot kanë marrë të gjithë praktikën ligjore me të cilën duhet të ankohen tek Avokati i Popullit dhe pas një takimi të shkurtër u ra dakord që komandot të paraqesin një ankesë me shkrim, ku të jenë të bazuara shkaqet ligjore. Burime nga Zyra e Avokatit të Popullit thanë se ankesa ka mbërritur dhe po verifikohet. Sipas procedurave, nëse rezulton se ka parregullsi, atëherë avokati do t’i rekomandojë Ministrisë së Mbrojtjes dhe qeverisë rishikimin e vendimit të shkarkimit. Duke qenë se ish-ushtarakët me grada nënoficerë u ankuan gjatë misionit të tyre në Afganistan se u ishte shkelur kontrata që firmosën me shtetin, ky reagim i tyre është motivuar si turpërim i atdheut jashtë vendit dhe rebelim ndaj institucionit. Në dokumentin në fjalë nënoficerët kanë firmosur se do paguheshin 60 dollarë dita, por kjo shumë u është tatuar dhe ata kanë marrë vetëm 54 dollarë, shkelje kjo, që sipas tyre i ka shtyrë të ankohen në grup në muajin dhjetor. Por burime të Ministrisë së Mbrojtjes thonë se një ushtaraku nuk i lejohet ankesa dhe reagimi në grup, pasi kjo gjë konsiderohet rebelim.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›