E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, fjalëkryqi me shumë pak zgjidhje

Forum/ Flasin analistët: Peza, Dervishi, Nazarko, çili dhe Abilekaj

Kriza, a do të gjejë një zgjidhje në kohën e duhur dhe a mund të jetë ajo thirrja e zgjedhjeve të parakohshme? Apo do të shtyhet deri në zgjedhjet e ardhshme lokale? Pikëpyetjeve të rebusit të ngërçit që po mundon vendin, në një forum për “Shqip” u përgjigjen analistët e njohur: Alfred Peza, Lutfi Dervishi, Mentor Nazarko, Henri çili dhe Enton Abilekaj...

1. Kriza aktuale politike u tentua të zgjidhej me një goditje të PD-së në Kuvend për komisionin hetimor, por që u sulmua që në fillim nga ndërkombëtarët. Si e mendoni se mund të marrë udhë zgjidhja, ndoshta në rrugë joparlamentare...

2. Eksponentë të ndryshëm të opozitës, por edhe të pavarur, po hedhin temën e zgjidhjes së krizës me zgjedhje të parakohshme. A e shikoni ju të mundshme dhe mund të pranohet nga ndërkombëtarët ndërkohë që zgjedhjet do të kërkonin një buxhet të papërballueshëm në kohë krize?

3. është hedhur një ide se kriza mund të zgjasë deri në zgjedhjet lokale të 2012-s, kur opozita mund të mos marrë pjesë, duke arritur kulmin tjetër. E shikoni ju të mundshme?

Alfred Peza

1. Zgjidhja e krizës politike nëpërmjet rrugës parlamentare, kështu siç kanë rrjedhur ngjarjet deri më sot, ka hyrë në një rrugë pa krye. Mazhoranca nxitoi ta ngrejë komisionin hetimor parlamentar për zgjedhjet e kaluara, me koshiencë të plotë se po shkelte një procedurë klasike për një rast të tillë. Kjo, sepse nëpërmjet këtij komisioni, do të kalojnë disa javë derisa të hartohet e miratohet raporti përfundimtar. Konkluzionet e këtij raporti janë lehtësisht të ditura që tani, ende pa u mbledhur ky komision i mazhorancës. Ndaj, më shumë se hetimin real të asaj që ka ndodhur në zgjedhjet e fundit parlamentare, shumica qeverisëse po kërkon të fitojë kohë, në mënyrë që ky sezon parlamentar, të mos ta realizojë dëshirën e opozitës për të ngritur një komision me objektin e hetimit që ajo dëshiron e që ka në themel të saj, hapjen e kutive të votimit të 28 qershorit 2009. Kjo, sepse veç të tjerash, Parlamenti nuk mund të ngrejë dy herë rresht brenda një kohe të caktuar komision hetimor për të njëjtën çështje. Ndaj, mazhoranca do të kërkojë t’i shkojë deri në fund hapit që hodhi të premten e kaluar, pas tërheqjes së opozitës nga kërkesa e saj për ngritjen e këtij komisioni parlamentar. Ka vetëm një mundësi që kjo çështje të zgjidhet shpejt. Ndoshta, vetëm atëherë kur ndërkombëtarët t’i bëjnë një presion shumë të shpejtë dhe të fortë mazhorancës (për shembull kërcënimi me mosliberalizim të vizave, me mosmarrje të ftesës si vend kandidat për në BE etj.), që të tërhiqet nga ngritja e komisionit hetimor, duket e rikthyer edhe njëherë nga e para këtë çështje në Kuvend. Kjo është rruga parlamentare e zgjidhjes së krizës. Rrugët jashtëparlamentare janë të shumta, por më pak të shëndetshme për rendin demokratik, në stadin ku ndodhet Shqipëria sot.

2. Shqipëria dhe shqiptarët janë të papërgatitur për të hyrë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Mazhoranca gjithashtu. Por opozita është edhe më pak e përgatitur për këtë, pavarësisht se ajo duket se është më e interesuara. Vetë liderët e opozitës e kanë të qartë dhe sigurisht që brenda vetes nuk do të dëshironin që kjo të ndodhte shpejt. Nuk është aspak çështja te kriza ekonomike apo te paratë që do të duhen për të realizuar një palë zgjedhje të reja, sepse paratë kryesore për këtë nuk merren nga buxheti i shtetit, por në rrugë të tjera... Së pari, opozita nuk mund të hyjë në një palë zgjedhje të reja, kur ajo ende nuk e di si janë zhvilluar ato “të vjetrat”. Së dyti, këto zgjedhje nuk mund të realizohen, nëse nuk janë reflektuar dhe bërë ndryshimet e duhura në Kodin Elektoral të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, të bëra në raportin final për zgjedhjet e 28 qershorit. E treta, vetë opozita, e majta dhe PS-ja, kanë shumë probleme për të zgjidhur dhe çështje për të rregulluar brenda vetes pas humbjes në zgjedhjet e 2009-s, për të krijuar frymën e re të një ndryshimi që do të realizonte maksimalizimin e votës së saj. Dhe së fundmi, ndërkombëtarët nuk besoj se do të inkurajonin për një vend anëtar të NATO-s, një zgjidhje politike që do të vinte si pasojë e një presioni jashtë institucional në Shqipëri.

3. I pyetur nga gazetarët nëse PS do të bojkotojë zgjedhjet e reja lokale, Gramoz Ruçi në një nga emisionet e mia, “Ora e Debatit”, rreth 2 javë më parë, e mohoi në mënyrë kategorike këtë mundësi. Të gjithë e dimë se çfarë përfaqëson Gramoz Ruçi në PS dhe për të majtën shqiptare gjatë këtyre 20 viteve dhe sot. Ndaj, është e tepërt që unë të jap një përgjigje tjetër nga kjo, për aq kohë sa vetëm Edi Rama dhe forumet e larta drejtuese të PS-së mund të vendosin për bojkotin. Logjika e Gramoz Ruçit ishte pak a shumë kjo: “Partitë politike krijohen për të marrë pushtetin dhe kjo realizohet nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhje. Bojkotimi i zgjedhjeve është vetëvrasje politike për një parti dhe PS nuk do ta bëjë këtë”. Në këtë rast, jam plotësisht dakord me kryetarin e Asamblesë Kombëtare dhe kryetarin e Grupit parlamentar të PS-së.

Lutfi Dervishi

1. Në Kuvend nuk mund të ngrihet më komision tjetër hetimor për zgjedhjet. A do ta shfrytëzojë opozita këtë komision të ngritur apo do ta braktisë? Kjo mbetet për t’u parë! Nga seanca e fundit mund të thuhet se opozita ka nevojë të jetë në Kuvend. Jo vetëm për të respektuar këshillën/rekomandimin e ndërkombëtarëve. Kuvendi i duhet për vete. Më shumë se gjysma e grupit janë të rinj dhe duhet “të stërviten” medoemos brenda në Kuvend. Vetëm në Kuvend opozita mund të shfaqet si një alternativë e pushtetit dhe jo thjesht si një grup presioni përmes konferencave të shtypit dhe protestave. Fjalimet opozitare, megjithëse gati “të gjithë këndonin të njëjtën këngë” dhe vuanin nga një “krizë identiteti”, i dhanë një sharm dhe ritëm betejës opozitare, ritëm që nuk mund ta zëvendësojnë format e tjera të protestës. Opozita ishte e papërgatitur për të vepruar ndaj asaj që ju në pyetje e cilësoni si “goditje të PD-së” në momentin e fundit. Duke shfrytëzuar procedurën, drejtuesja e Kuvendit dha një mësim tjetër për grupin e opozitës për nevojën jo vetëm të ashpërsimit, por edhe të sofistikimit të betejës në Kuvend. Rrugëzgjidhja? Opozita duket se do ta testojë edhe njëherë veten në rrugë... Ndoshta duke kombinuar betejën në Kuvend, me atë në sheshe.

2. Zgjedhjet e parakohshme, më shumë se domosdoshmëri janë dëshirë e çdo opozite. Duke artikuluar këtë kërkesë, mban afër vetes jo vetëm anëtarësinë e militantët, por edhe të pakënaqurit ndaj pushtetit. çdo forcë që synon pushtetin, kërkon që çdo ditë të vitit ta kthejë në një ditë fushate elektorale. Zgjedhjet e parakohshme nuk kanë të bëjnë me ndërkombëtarët dhe nuk janë çështje buxheti. Me sistemin që kemi, çdo palë zgjedhje jep rezultat të ngushtë. është pikërisht kjo diferencë e ngushtë që e bën shumë të hidhur humbjen dhe humbësin e zgjedhjeve. Por zgjedhjet e parakohshme, me ndryshimet kushtetues të prillit të 2008-s, janë të pamundura për t’u provokuar në Kuvend. Sistemi zgjedhor dhe ndryshimet kushtetuese janë bërë me dëshirën dhe bekimin e dy palëve pikërisht për të prodhuar shumica të qëndrueshme qeverisëse. Në kushtet kur minimalisht shumica ka 75 vota në Kuvend, zgjedhjet e parakohshme mund të provokohen vetëm në rrugë. A është kjo rruga? është pikëpyetje e madhe, sepse duke perifrazuar një fjalë të urtë durrsake, “atë që bën sot në det, do ta gjesh nesër në kripë”.

3. Nuk besoj se kemi luksin që edhe një vit tjetër t’i biem fyellit në të njëjtën vrimë. është shumë luks për një vend dhe politikën e tij që të vijojë dy vjet diskutimin për zgjedhjet e 2009-s. Spektakli më i madh i demokracisë janë zgjedhjet, por ky spektakël kulmon me fushatën dhe ditën e zgjedhjeve. E mira tjetër e madhe e këtij spektakli është se nuk ka fitues dhe humbës të përjetshëm. Nëse është vërtet shqetësimi për cilësinë e zgjedhjeve të ardhshme që do të mbahen pas një viti, kemi një recetë me një listë shumë të gjatë me rekomandime të ndërkombëtarëve (raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR) dhe një komision hetimor që sapo ka nisur punë. Edhe nëse pjesëtojmë apo shumëzojmë me zero komisionin, duhet vullnet politik për të kthyer besimin te njëri-tjetri, por sidomos te zgjedhësit. Duke u përqendruar vetëm tek e shkuara, prirja është të gjejmë fajtorë. Nëse shohim tek e ardhmja, do të flasim më shumë për alternativa dhe zgjidhje. Me debatin e këtyre 9 muajve është thelluar mosbesimi mes palëve dhe duhet jo vetëm vullnet, por edhe një qasje radikale ndaj procesit të votimit/numërimit për të mbyllur kapitullin e komisionerëve. Votimi/numërimi elektronik mund të ishte një ide që në kushtet e sotme mund të shërbente si një element që rikthen besimin reciprok të palëve dhe mbi të gjitha besimin e zgjedhësve tek procesi zgjedhor. Varianti që shtatë stinë të dy viteve (2009-2011) të qëndrojmë te “hap kutitë ose largohu” më duket që ka pak gjasa të ndodhë. Në anën tjetër, sa më shumë të vonohemi me rekomandimet për zgjedhjet e ardhshme, aq më pak shpresë ka se radhën tjetër nuk do të kemi probleme.

Mentor Nazarko

1. Zgjatja deri më sot e krizës tregoi se asnjë aparat mendor racional nuk mund të parashikojë sesi do të zgjidhet ajo nesër. Ndërkombëtarët, flas për ata që merren më ngushtësisht me ne, nuk kanë dëshirë të hyjnë në detajet e kësaj krize, duke marrë krahun e njërës apo tjetrës palë. Palët vetë s'tërhiqen prej pozicioneve, megjithëse duhet të them se PS është tërhequr nga shumë prej pozicioneve të veta, gjë që e ka përmirësuar imazhin e saj. Por çka mund të them me siguri nëse do kjo opozitë nuk do të kishte kontribuar në ndryshimin e Kushtetutës, që dobësoi prokurorinë- kufizoi mandatin e drejtuesit të saj- Presidentin e Republikës etj., zgjidhja e krizës do të ishte kryer nëpërmjet instrumenteve legalë të sistemit. Ashtu si prokurori i Fierit që hetoi Ruzhdien, do të kishim më shumë guxim të prokurorëve të tjerë, edhe të Prokurores së Përgjithshme për të drejtuar këtë hetim në nivel kombëtar dhe eventualisht do ishte bërë transparenca që kërkohet nga opozita, nëpërmjet institucioneve legale.

2. Nuk e besoj se do të pranohet nga ndërkombëtarët. Ndërkohë nuk po shoh as opozitën të bindur për dobinë e tyre, të paktën publikisht. Ato kërkojnë kohë përgatitjeje të gjatë- nëse do ndryshojmë kuadrin ligjor për zgjedhjet. Ndoshta do kemi një formulë të zhvillimit të tyre të përbashkët, pra të lokaleve dhe të parlamentareve, por kjo të kërkonte që dhe opozita të hynte në Parlament për të ndryshuar kuadrin ligjor ekzistues. Opozita vetë nuk do të merrte pjesë as në lokalet, as në parlamentaret, me këtë kod zgjedhor. Kështu që ka shumë pikëpyetje që, siç e thashë më sipër, nuk mund t'u përgjigjemi me gjasë të madhe suksesi. Me mendje racionale ne mund të arrijmë në një përfundim, ama palët politike kush e di se ç'mendojnë. Fare larg të arsyeshmes.

3. Edhe njëherë. Përgjithësisht pyetjet që po më bëni, mund të marrin lehtë përgjigje duke angazhuar arsyen. Por ju po më pyesni për të mundshmen, që s'varet prej nesh, por prej partive politike. Kështu që duke pasur respekt për fjalën time, më mirë po analizoj pse ndodhin dukuritë, dhe jo të bëj prognoza se ç'do të ndodhë.

Henri çili

1. është e qartë që komisioni që ka ngritur zonja Topalli nuk ka kuptim. Një komision për hetimin e zgjedhjeve pa opozitën dhe pa realizuar pretendimet e saj, apo së paku i pamiratuar nga opozita e i pakryesuar nga ajo, nuk është zgjidhje për krizën. Kjo nuk është zgjidhje e krizës. Opozita ka lajmëruar se do të bëjë presion nga rruga për zgjidhjen e krizës për t’u imponuar dhe kjo është e drejtë e saj. Të shohim se cila do të jetë fuqia imponuese e saj përmes rrugës joparlamentare. Shpesh nga rruga kanë ardhur zgjidhje shumë të mëdha për demokracinë. Mjaft të jetë kauza e duhur dhe frymëzimi i duhur. Druaj se për kutitë do të mund të dalin njerëz aq sa për një protestë të tillë imponuese.

2. Buxhetet nuk janë asnjëherë problem për zgjedhjet. Problem është që të ketë zgjedhje, duhet të jetë dakord dhe qeveria. Nuk gjej arsye pse qeveria të dojë të ndërpresë mandatin e saj vetëm në kushtet kur nuk ka se çfarë të bëjë tjetër, ose në kushtet kur qeverisë i interojnë fort zgjedhjet e parakohshme, pasi ndoshta i mendon se i fiton. Them se nuk jemi në asnjë prej rasteve. Ndaj nuk më duket reale kjo alternativë.

3. Them se pikërisht kjo është. Janë bashkuar dy krizat, ajo e zgjedhjeve të kaluara dhe ajo zgjedhjeve që po vijnë. Jemi në një rreth vicioz të ri, ku njëra pengon tjetrën. Tashmë energjia e krizës udhëhiqet nga interesat e Edi Ramës në raport me zgjedhjet lokale. Cilat janë këto interesa dhe llogari është ende herët të shfaqet, por me sa duket opozita ka objektiv tashmë, 9 muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme, objektiva konkrete në raport me zgjedhjet lokale, të cilat kanë kohën të identifikohen në javët e muajt që vijnë.

Enton Abilekaj

1. Ajo që ndodhi në Kuvend ishte një ngjarje që nuk mund të kalonte në heshtje nga opozita. Kryetarja e Parlamentit, me një fjale goje hodhi poshtë rregulloren e Kuvendit, hodhi poshtë rregullat e politikës dhe i hapi rrugë thellimit të krizës. Si një hap negativ i votuar nga mazhoranca, vendimi i Parlamentit do të hyjë në bisedimet e ardhshme mes partive për të bllokuar mundësitë e kompromisit. Duket se rruga është më pranë marrëveshjes në Parlament pas kësaj ngjarjeje, megjithëse socialistët ende nuk janë shprehur qartë për hapat e mëtejshëm.

2. Zgjedhjet e parakohshme nuk duken të arritshme. Kryeministri Berisha kujtoi në Parlament se çfarë ndodhi në vitin 1997, kur marrëveshja e 9 marsit solli zgjedhjet e 29 qershorit. Ajo marrëveshje u arrit pas shumë gjaku të derdhur si rrjedhim i katastrofës ekonomike të piramidave, që solli zemërimin popullor. Protestuesit që sfiduan gjendjen e jashtëzakonshme dhe u armatosën në mars, po i afroheshin Tiranës pa asnjë pengesë, sepse shteti kishte rënë. Në këto kushte, Presidenti Berisha, që vinte nga zgjedhjet krejt të papranueshme të 28 majit 1996, pranoi zgjedhjet e parakohshme. Përsëritja e një situate të tillë, jo vetëm që do të ishte katastrofike për vendin, por duket e pamundur të realizohet. Në çdo situatë tjetër opozita nuk mund të arrijë zgjedhje të parakohshme. Ka një qeveri që vjen pas zgjedhjeve legjitime, ka një situatë ekonomike të vështirë, por jo në prag të katastrofës, ka një situatë sociale të paqetë, por jo të dominuar nga zemërimi.

3. është parashikim shumë pesimist pritja deri në zgjedhjet e parakohshme. Në qershor, Shqipëria pret vendimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave, ku kriteri politik është shumë i rëndësishëm. Nëse të dyja palët bashkohen me një vendim negativ nga BE, atëherë do të mbajnë përgjegjësi. Përgjegjësia kryesore sigurisht që i takon mazhorancës që nuk pranon të reflektojë, që ia ngushton çdo ditë e më tepër hapësirën parlamentare opozitës dhe që mundohet të fajësojë opozitës për mbetjen mbrapa në procesin e integrimit. Nëse Shqipëria humbet këtë shans, atëherë nuk ka më nevojë as për zgjedhje lokale, as për zgjedhje të përgjithshme.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›