E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode: Nesër në qeveri p/ligji për heqjen e taksës së tokës bujqësore

TIRANE- Projektligji për heqjen e taksës prej 10 % për shitjen e tokës bujqësore do të paraqitet të mërkurën për miratim në mbledhjen e qeverisë, bëri të ditur në rrjetin social "facebook", ministri i Financave, Ridvan Bode.

Pas heqjes se TVSH-së në import të lëndëve të para që përdoren në bujqësi, të kafshëve të racës si dhe furnizimit të rrjetave të peshkimit, Bode tha se nesër në mbledhjen e qeverisë miratojmë një tjetër projektligj të rëndësishëm, heqjen e tatimit prej 10% mbi shitjen e tokës bujqësore.

Kjo reformë, sipas ministrit Bode, i adresohet nxitjes së bashkimit të tokave bujqësore me qëllim krijimin e kooperativave, fermave bujqësore.

Sipas relacionit të ministrisë së Financave, p/ligji "Për një ndryshim në ligjin Nr 8438, datë 28.12.1998 "Për tatimin mbi të ardhurat" parashikon përjashtimin nga tatimi prej 10 % i të ardhurave që fermeri përfiton nga shitja e tokës bujqësore, kur sipërfaqja e saj është mbi 1000 m2, me kusht që blerësi i saj të jetë një fermer apo person fizik a juridik, i cili operon në fushën e aktivitetit bujqësor dhe që nuk do ta ndryshojë destinacionin për të cilën kjo tokë bujqësore është blerë.

Në këtë mënyrë garantohet që lehtësimi fiskal i uljes së kostos së blerjes së tokës bujqësore me 10%, t'i adresohet nxitjes së bashkimit të tokave bujqësore me qëllim krijimin e kooperativave, fermave bujqësore, etj. Është parashikuar gjithashtu, që Këshilli i Ministrave, me anë të një vendimi, do të përcaktojë rregullat që garantojnë ndalimin e ndryshimit të destinacionit të tokës bujqësore.

Hyrja në fuqi e ndryshimit të propozuar me anë të këtij projektligji, është parashikuar të jetë 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›