E Diel, 1 Nëntor 2026

Invalidët, Ksera: Opozita po i keqpërdor politikisht, PS: Ministri i papërgjegjshëm

TIRANË- Që në nisje mbledhja e Komisionit Parlamentar të Punës dhe Shëndetësisë ka nisur me debate dhe tensione mes deputetëve. Shkak është bërë vonesa e ministrit të Punës, Spiro Ksera i thirrur në seancë dëgjimore. Të irrituar socialistët akuzuan deputetët e mazhorancës si bllokues të punës së komisionit, por ka reaguar deputeti Tritan Shehu.

“Ti e ka sabotuar 6 muaj rresht mbledhjen, bashkë me ish-ministrin e Punës dhe Cështjeve Sociale bashkë me zotërinjtë e PD-së”, u shpreh Ethem Ruka deputet i PS-së.

“Ata kanë dashur të luajnë një show këtu prej kohësh”, tha deputeti i PD-së, Tritan Shehu.

Në komision është folur për pr/ligjin e propozuar nga 4 deputetë socialistë në thelb të të cilit është përfaqësimi dhe mbrojtja e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar.

“Janë një grup që nuk kanë zë, për të cilat vendos qeveria apo institucionet pa i marrë mundimet”, the deputetja e PS-së Eglantina Gjermeni.

Por, për ministrin Ksera qëllimi i opozitës nuk është ligji, por keqpërdorimi politik që po i bëhet personave me aftësi të kufizuar. Drafti i propozuar përmban 15 nene nga të cilat 12 kontestohen nga Ministria e Punës.

“ Për 4 vjet bien ndesh me konventën e sapomiratuar në Kuvend për personat me aftësi të kufizuar. Mos bëni politikë me këto shoqata, mos i hidhni praqe nëpër rrugë, se qytetarët shqiptarë tashmë e kanë kuptuar”, tha ministri Ksera.

Deklarata e ministrit nxiti një reagim të fortë të deputetëve socialist Deda dhe Gjermeni.

“Je i pa përgjegjshëm politikisht, ti i pari si ministër, sepse vjen këtu sot dhe na e ke fshehur” tha deputeti Eltar Deda, deputet i PS-së.

Debatet politike në komision janë komentuar nga kreu i Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuara Sinan Tafaj, i cili hodhi poshtë pretendimet e mazhorancës për një bashkëpunim të saj me opozitën. Tafaj fajësoi ministrinë e Punës se është përgjegjëse për bllokimin e draftit për 4 vite me radhë.
(e.m/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›