Bode: Nuk do të ketë më investime të reja për 2010-n
Ministri i Financave prezantoi dje para grupeve parlamentare programin e ri buxhetor, ku parashikohen shkurtime të mëdha të shpenzimeve. Në fjalën e tij, ministri vuri në dukje faktin se nuk do të hapen më projekte të reja, por do të punohet me aktualet, duke i financuar me nivelin e ri buxhetor deri në mbyllje të tyre. Kreu i financave theksoi nivelin e ri buxhetor, duke thënë se do të zbresë në 3.5 për qind, nga 4 që ishte plani i fillimvitit. "Investimet publike po ashtu pësojnë një ulje. Vëllimi i shpenzimeve kapitale që zvogëlohen është rreth 19 mld lekë, nga 86 mld të programuara në fillim të vitit. Ajo që ka ndodhur në investimet publike është bllokimi i tenderimeve të reja, hapja e veprave të reja dhe intensifikimi në financimin e veprave ekzistuese. Në këtë buxhet, me gjithë shkurtimin e shpenzimeve që kemi bërë, Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit për veprat në proces i janë shtuar dhe 4.3 mld lekë", tha Bode. Në shkurtimin e të ardhurave të buxhetit uljen më të madhe e kanë tatimet e doganat. Shkurtim pësojnë edhe sigurimet shoqërore dhe të ardhurat e pushtetit vendor. Ministri i Financave tha se me gjithë ndryshimet ruhen parametrat pozitivë të buxhetit.
#