E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berati, kritika për menaxhimin e pasurisë

Dy vjet nga përfshirja në UNESCO, mbeten ende shumë projekte emergjente për t’u realizuar

Dy vjet nga pranimi i Beratit në UNESCO, sfidat mbeten ende të shumta për këtë qytet. Një përvjetor i tillë duhet të shërbejë si një rast më shumë për të reflektuar. Në këtë rast, bashkëveprimi mes institucioneve qendrore dhe pushtetit lokal është një nga kushtet parësore. Kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, shprehet se prezantimi i Beratit si trashëgimi kulturore botërore e ka bërë këtë qytet më të kërkuar nga turistët. “Berati ka tashmë publicitetin si një sit ndërkombëtar dhe informacioni për këtë qytet shpërndahet tashmë në disa faqe interneti dhe botime të UNESCO-s, të Organizatës Botërore të Qyteteve Historike, të Rrjeteve të Qyteteve Historike të Ballkanit, në publikime të tjera prestigjioze ndërkombëtare, të cilat po shërbejnë si guidë profesioniste për turistët etj. Për 2010-n presim që numri të rritet edhe më shumë”, është shprehur Nasufi. Duke folur për investimet e bëra këto 2 vite, kreu i bashkisë është shprehur se ka pasur disa investime me fondet e qeverisë në funksion të ruajtjes dhe rehabilitimit të zonave muzeale, si ndriçimi dekorativ i lagjes Mangalem, rehabilitimi i fasadave në Mangalem dhe Goricë, ndërhyrje restauruese në disa objekte kulti dhe banesa të kategorisë së parë, ndërtimi i shkollës së Kalasë, përmirësimi i disa rrugëve me kalldrëm etj. Ashtu siç edhe ministria e bëri të ditur pak kohë më parë kur shpalli programin e mbështetjes së zonave historike, Nasufi pranon se është bërë punë, por investimet janë shumë pak në krahasim me nevojat. Ndërkohë që vetë bashkia ka akorduar disa fonde për projekte në zonën historike, kryesisht në restaurimin e rrugicave me kalldrëm në Goricë, Mangalem dhe në zonën tampon, në përmirësimin e sinjalistikës turistike etj. Ndërkohë, sipas Nasufit, përfundimi i planit rregullues të qytetit do të jetë një dokument shumë i domosdoshëm dhe përcaktues për zhvillimet urbane dhe social-ekonomike. Për të, sfidat më të mëdha në këto dy vjet i takojnë mungesës së financimeve për të realizuar projektet emergjente dhe të nevojshme për zonën historike. “Vlerësimi i ekspertëve të UNESCO-s për këto dy vjet është pozitiv, optimist, por edhe kritik për hapat e ngadaltë në menaxhimin e këtyre vlerave si sit botëror. Në këtë kuadër, duke bërë optimistin dhe realistin, më duhet të tërheq vëmendjen në disa problematika të mprehta për trashëgiminë, kulturën dhe menaxhimin e qyteteve që posedojnë pasuri të tilla si Berati. Këto vite të tranzicionit të tejzgjatur postkomunist kanë krijuar problematika të mprehta dhe të pariparueshme në fushën e trashëgimisë të monumenteve dhe kulturës. Po anashkalohen dhe po asgjësohen pjesë të trashëgimisë dhe shteti është shumë i vonuar për të reaguar. Na gëzon fakti që është rritur tregu i banesave edhe në qendrën historike, por jemi edhe të shqetësuar që sot në Kala, Mangalem dhe Goricë janë 94 shtëpi të braktisura dhe të pabanuara. Strukturat e specializuara, si Drejtoria Kombëtare Rajonale e Kulturës, nuk kanë kapacitetet e nevojshme për mirëmbajtje dhe për përkujdesje, ndërkohë që çdo proces pune, ligji dhe organizimi e dikton me prokurim dhe me centralizim nga lart. Në zonën historike ka shumë objekte publike të kthyera në pronë private, por që nuk restaurohen, si Kisha e Shën-Gjergjit, Selamllëku etj., të cilat nga vlera sot prezantohen si gërmadha dhe të ndotura nga mungesa e administrimit. Me dhimbje pohoj faktin se janë shkatërruar investimet e bëra me aq sakrificë, si ndriçimi i rrugës nga Merkata në Kala, ndriçimi me rrugën e kishës së Shën-Delliut, 10 veprat e artit që u vendosën në ambientet e Kalasë, riciklimet e mbetjeve të ngurta që hidhen në akset e rrugës së Kalasë dhe çdo model tjetër i keq që është vepër e keqbërësve, por edhe e indiferencës së qytetarëve. Ftoj qeverinë për të investuar më shumë në këtë qytet, por edhe biznesin privat dhe qytetarët të bëhen pjesë e kontributit për të ruajtur trashëgiminë”, përfundon Nasufi.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›