E Shtunë, 31 Tetor 2026

ALUIZNI përfundon matjet në terren për legalizimin e 5 mijë banesave

Publikohet formulari i aplikimit dhe procedurat e legalizimit

Grupet e verifikimit në terren përfunduan së shkuari shtëpi më shtëpi për të kryer matjet e nevojshme, që çojnë në krijimin e dosjes për lejet e legalizimit. Burime nga ALUZNI bëjnë të ditur se janë gati për miratim nga Këshilli i Ministrave 5 mijë ndërtime të

tjera në zonat informale të kryeqytetit. Megjithatë Drejtori i ALUIZN-it të Tiranës, Agim Berisha thekson se ky proces nuk mbyllet këtu. Sipas tij mësohet se do të ketë të tjera leje legalizimi dhe paralelisht me ato do të ketë dhe të tjerë emra pronarësh të ligjshëm, që do të kompensohen financiarisht. Vetëm gjatë kësaj jave u dha leja e legalizimit për 3 600 objekte. Ditën e hënë nis kryerja e kërkesave për 2 mijë pronarë të ligjshëm që do të kompensohen financiarisht gjatë muajve në vazhdim.


Legalizimet
Personat ose subjektet që duhet të legalizojnë shtëpi ose prona të tjera ilegale duhet të paraqiten pranë ALUIZNI-t për të tërhequr formularin. Formulari i ri do të plotësohet sipas kërkesave të personave të interesuar në lidhje me përqindjen e pagesës në para në dorë ose bono privatizimi për legalizimet. Burime nga ALUIZNI bënë të ditur dje se në përmbajtje të këtij formulari, nuk ka ndonjë element të ri dhe se në thelb, ata do të vazhdojnë që ta derdhin pagesën e shërbimit në numrin e llogarisë bankare, të hapur për këtë qëllim nga ALUIZNI. Konkretisht, në formularin e pagesës së tarifës së shërbimit, përfshihet emri i poseduesit të ndërtimit, të dhënat e objektit, afati se kur e ka vetëdeklaruar, adresa e banesës, si dhe vlera e tarifës së shërbimit, që është 4 mijë lekë të rinj. Përcaktimi i modelit të ri i këtij formulari, që në përmbajtje nuk ndryshon, është bërë dje me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërkohë që, në funksion të ndryshimeve të ligjit për legalizimet, qeveria ka marrë një tjetër vendim, krejtësisht në favor të ALUIZNI-t.


Ligji
Ligji i ri që ka hyrë në fuqi, u jep mundësi qytetarëve që nëse dëshirojnë mund të shmangin pagesën me para në dorë duke aktivizuar bonot. Individët, të cilët kanë kryer pagesën e legalizimit në lekë, kanë 3 muaj kohë për të dorëzuar pranë ALUIZNI-t kërkesën për të përfituar nga pagesa me bono privatizimi. Në të qytetarët duhet të përcaktojnë saktë masën e pagesës që do të shlyhet me bono privatizimi dhe më pas agjencia do të shqyrtojë çdo rast për të bërë rimbursimin.


Rimbursimi i legalizimeve
Të gjithë personat që kanë kryer legalizimet me lek në dorë mund të paraqesin një kërkesë pranë ALUIZNIT dhe të përfitojnë rimbursim nga hyrja e fuqi e ligjit për legalizimet me bono. Mjafton një kërkesë pranë këtij institucioni ku të paracaktohet pjesa e shlyerjes në bono dhe pasi bëhet përllogaritja përfituesi derdh në bankë bonot dhe merr paratë. Duke nisur që nga data 12 mars e këtij viti, afati për dorëzimin e kërkesës është tre muaj, pra deri në qershor. Në këtë kërkesë, qytetari tregon se deri në çmasë do të paguajë tarifën në letra me vlerë. Pagesa do të bëhet nëpërmjet dy formularëve, për ata që e kanë kryer pagesën dhe do të rimbursohen për atë pjesë që do ta paguajë në letra me vlerë dhe një tjetër formular për ata që do të paguajnë për herë të parë. Formularët tërhiqen pranë zyrave të ALUIZNI-t, ku secili qytetar do të shënojë të dhënat përkatëse lidhur me masën e shlyerjes që i takon për parcelën ndërtimore.

Faturat për legalizimet me bono
Rreth 1538 familje që presin të legalizojnë pronat me bono kanë gati faturën dhe ju mbetet vetëm të derdhin detyrimet në bankë për të formalizuar pronën. Agjencia e Legalizimeve për qarkun e Tiranës ka bërë gati 1538 faturat e para për kryeqytetasit. Këtyre aplikantëve ju mbetet vetëm të shlyejnë detyrimin pranë bankave dhe të marrin tapitë në Hipotekë. Bëhet fjalë për gjithë aplikantët, të cilët kanë plotësuar kërkesën për të bërë legalizimin e ndërtimeve të tyre me bono privatizimi. Ndërkohë që edhe 8 mijë kërkesa për legalizim me bono dhe me para cash që po shqyrtohen nga ALUIZNI sipas një plani pune të miratuar më parë. Burime zyrtare nga ALUIZNI bënë të ditur se dosja e plotë përmban kërkesën e bërë nga qytetarët, faturën e llogaritur nga ALUIZNI për tu paguar me bono privatizimi në bazë të përqindjes që aplikuesi ka paracaktuar në kërkesën e tij, por pa kaluar maksimumi, cili është 70 për qind e vlerës që mund të paguhet me bono. Sipas të njëjtave burime mësohet se pjesë e dosjes është gjithashtu dhe një tjetër dokument i cili përcakton detyrimin për pagimin e një takse për ndikimin në infrastrukturë e cila është vetëm 0.5 për qind e çmimit bazë të vendosur nga enti i banesave, rreth 140 lekë si dhe një tjetër faturë e cila përcakton një tarifë fikse për shërbimin prej 4 mijë lekësh. Të gjitha këto dokumente me shkresën zyrtare të AUIZNI-t u mundojnë qytetarëve që të paraqiten në bankën përkatëse për të bërë pagesë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›