Bode: Raporti i FMN-së i cituar nga Rama, pozitiv
Raporti i FMN-së i nxjerrë disa ditë më parë, është cilësuar pozitiv nga ministri i Financave Ridvan Bode. Ndryshe nga kreu i selisë Rozë, Edi Rama, që tha se raporti shprehte dështimin e qeverisë në të gjitha fushat. Bode thotë se: “është një raport inkurajues për autoritetet shqiptare dhe tepër vlerësues për të gjithë aktorët politikë, ekonomikë dhe shoqërorë që kanë kontribuar në gjithë këtë periudhë tranzicioni dhe që kanë bërë të mundur arritjen e rezultateve impresionuese të Shqipërisë nga një ekonomi e centralizuar drejt një ekonomie tregu të lirë”.
Rritja ekonomike
Bode thotë se sipas këtij raporti, Shqipëria po arrin në lartësi të reja të zhvillimit ekonomik, politik e shoqëror. Në vitet e fundit PBB për frymë është rritur më shumë se dy herë, rezultat si në asnjë vend tjetër në tranzicion, rritja ekonomike e Shqipërisë në këtë periudhë ka qenë 96 %, 17 vendet në tranzicion kanë një rritje mesatarisht prej 50 %. Vendet balltike që kanë rritjen më të lartë ekonomike mes vendeve në tranzicion kanë një rritje prej 74 %, vendet e BE –së me 50 %, ndërkohë që vendet e tjera me ekonomi emergjente dhe në tranzicion kanë një rritje prej vetëm 38 %.
Ndërsa Edi Rama dje në komentet që bëri për raportin tha se: “Raporti konfirmon përmes shifrave se ritmet e rritjes ekonomike për periudhën 2004-2007 me të cilat mburret Berisha janë më të ulëta se në 1998-2004” – tha Rama. “Shqetësimi ynë është se do të ketë një ulje të mëtejshme ekonomike, që do të sillte më shumë papunësi e varfëri në vend. Raporti konfirmon përmes shifrave deficitin më të lartë buxhetor të të gjithë periudhës së transiziconit në Shqipëri, minus 6% të PBB-së. Sipas Ramës ky nivel është më i lartë se i vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme”. Liria e Biznesit
Gjithashtu sipas Ramës raporti konfirmon se liritë e biznesit janë të kufizuara. Shembulli i rëndë është për eksportet, të cilat kanë arritur në 24.5% të PBB-së ndërkohë që në vendet me të ardhura të ulëta ato zënë 32.2% të PBB-së ndëra me të ardhura të mesme 42.5%. Për mos të folur për vendet e BE-së ku eksportet zënë 62% të PBB-së.
“Me këto shifra kuptohet qartë se sa është kosto që duhet të paguajmë për të hyrë në BE. Kjo është e vërteta e lirisë së hidhur të biznesit në Shqipëri, ku konkurrenca e lirë dhe e ndershme mungon” – tha kreu i PS-së.
Ndërsa Bode kundërshtoi duke thënë se: “Qeveria është e vendosur, thuhet në raport, për të përmirësuar klimën për investitorët, përmes regjistrimit në një sportel të vetëm dhe në një ditë dhe përmes zbatimit të e-goverment, programit tashmë në proces. Qeverisja e vogël është motoja e kësaj qeverie, thuhet në raport, e cila ka fokus shkurtimin e shpenzimeve operative dhe rritjen e performancës së administratës”.
Eksportet
Sipas Bodes eksportet vlerësohet se po rriten me ritme shumë të shpejta dhe Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë investime qoftë në eksportet tradicionale, siç janë përpunimet aktive, ashtu edhe në fushën e mineraleve.
dërsa Rama dje tha se: “Të gjitha propagandat për ulje të importeve dhe rritjes së prodhimit bujqësor janë të pavlefshme. Megjithëse vendi i ka të gjitha mundësitë që të prodhojë shumë më tepër, sidomos në fshat ku ne jemi fokusuar keq qeverisja ka bërë që çdo prodhim vendas të jetë në minimum”- vazhdoi Rama.
Energjetika
Përfundimi i reformës energjetike po ashtu, përbën një nga objektivat kryesorë që duhet të jenë në vëmendjen e autoriteteve shqiptare dhe për këtë arsye ju e dini që ka filluar procesi i privatizimit të sektorit të shpërndarjes për të zgjidhur përfundimisht problemin e financimit dhe rritjes së shpenzimeve të buxhetit të shtetit për të mbajtur dhe siguruar furnizimin gjithëvjetor të popullatës dhe ekonomisë.
Ndërsa për Ramën Raporti i FMN-së konfirmon gjithashtu edhe dështimin e plotë të Berishës në energjetikë. “Qeveria nuk përqëndrohet në kontrollin e të ardhurave dhe shpenzimeve, dhe rezulton se ato kënë rënë me 50% duke kompromentuar tërësisht performancën e kompanisë. Rezultati është rritje e tarifave të energjetikës që paguajnë sot qytetarët. Sipas raportit të FMN-së humbjet e KESH janë 2.4% e PBB-së, një vlerë e barabartë me buxhetin e sektorit të shëndetësisë. Vetëm nëse do të shmangnim humbjet e KESH-it do të shtonimin buxhetin e shëndetësisë me dyfish” – tha Rama. “Jemi të vetdishëm që KESH është një bombë me sahat në ekonominë e vendit”- tha Rama ditën e djeshme. Pyetje nga Gazetaret
1. Z. Bode ni njëjti raport e rendit Shqipërinë si një nga vendet me klimën më të ashpër ndaj biznesit dhe me nivel të lartë korrupsioni. A ka dështuar qeveria në këto drejtime.
Z.Bode: Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk merret me dot me vlerësimin e klimës së biznesit dhe aq më pak me korrupsionin. Sigurisht për klimën e biznesit ka disa tregues që lidhen me Bankën Botërore, e cila ia njofton Fondit rezultatin.Në përgjigje të pyetjes që shtroni ju mund t’ju them që Fondi ka referuar për herë të parë një kompani, e cila nuk ka patur Shqipërinë të renditur më parë në programin e saj, kompaninë PRS Group, Inc. Kjo kompani e ka përfshirë për herë të parë Shqipërinë mes vendeve të tjera që ka në renditjen e saj. Është një renditje shumë e mirë dhe shumë pozitive e Shqipërisë dhe pikërisht bën fjalë për këto, se sa e përshtatshme është klima për biznes në Shqipëri, nga pikëpamja e risqeve të ndryshme që ka për ekonominë duke përfshirë dhe riskun rregullator, edhe riskun ndaj korrupsionit, etj. Në mes të 140 vendeve Shqipëria renditet e 69-a. Ky është vlerësimi që ka bërë kjo kompani për Shqipërinë. Pra risku që ofron ambienti ekonomik, shoqëror, politik, qeverisës në Shqipëri në raport me sektorin e biznesit. Në këtë renditje Shqipëria lë pas Rumaninë, Lituaninë, Ukrainën, Indonezinë, Filipinet, Egjipti, Bullgaria, Bjellorusia, Serbia, etj.. ( Kujtojmë që Shqipëria sapo është renditur në vendet me të ardhurat mesatare, ndaj ndodhet në këtë vend në renditje dhe jo më lart).Sa i takon nivelit të korrupsionit dhe interpretimeve, kompania rendit për herë të parë Shqipërinë dhe metodikat ndërmjet kompanive të ndryshme për llogaritjen e nivelit të korrupsionit nuk janë të njëjta. Për vitin 2007, kur kjo kompani ka bërë për herë të parë renditjen e parë për Shqipërinë, jep një notë 25 % që përputhet me notën që ka dhënë Transparency International, një nga kompanitë më prestigjioze në botë për matjen e nivelit të inflacionit. Po ashtu, disa muaj më parë është bërë një botim kompanish, nga Freedom House dhe Ëall Street Journal, të cilat kanë bërë pothuajse prej 20 vjetësh ratingun e Shqipërisë në çështjet që kanë të bëjnë me biznesin dhe kontrollin e qeverisë mbi korrupsionin. Sigurisht që renditjet dhe referencat nuk janë të njëjta. Sipas Transparency International ne jemi të 111 mes 186 vendeve, për nivelin e korrupsionit, sipas Freedom House jemi të 80 midis 200 vendeve dhe sipas kompanisë PRS Group, Inc jemi të 69 midis 140 vendeve. Këto janë statistikat që janë konfirmuar.