E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët, pushime tek legalizimi i dokumenteve

Korçë, dyndje emigrantësh në zyrat e lëshimit të dokumenteve zyrtare. 10 ditë për të kryer gjithçka

KORÇË- Pushimet gati janë kthyer në një torturë të vërtetë për mijëra emigrantë shqiptarë në zonën e Korçës, të cilët janë duke i kaluar ditët e tyre të pushimit nëpër zyrat e shtetit shqiptar, pas pritjes së gjatë që konsumojnë në kufirin mes dy vendeve. Kërkesa për certifikata, për aplikime, për pasaporta, por dhe mjaft shërbime të tjera të ngutshme janë primare për emigrantët që si asnjëherë më parë kanë mbipopulluar dhe qytetin e Korçës. Por duket se një nga vendet më të preferuara për ta jo për pushime natyrisht, është dhe filiali i postës në këtë qytet. Emigrantët shqiptarë që kanë ardhur për pushime në juglindje dynden për aplikime dokumentesh zyrtare. Numri i aplikimeve duket se është ndër më të mëdhenjtë gjatë kësaj periudhe, ndërkohë që për më shumë se 48 orë ata mund të marrin dokumentet e legalizuara në Ministrinë e Punëve të Jashtme në kryeqytete nëpërmjet postës shqiptare. Sipas drejtueses së këtij filiali, Marjana Hoxhalli, fluksi për këtë lloj shërbimi krahasuar me një vit më parë është shumë i madh, ndërsa nuk janë paraqitur probleme për sa i përket këtyre aplikimeve në asnjë rast.

Andrea Nani, një emigrant që jeton prej gati 12 vitesh në Athinë, thotë se pajisja me dokumente të shumta zyrtare që i nevojiten në shtetin fqinj ku jeton përkohësisht bashkë me familjen, i ka marrë gati 10 ditë nga pushimet e tij, ndërkohë që në 5 ditët e tjera të mbetura i duhet të pushojë pak. 40- vjeçari i është drejtuar filialit të postës për të dërguar për legalizim pranë Ministrisë së Jashtme disa certifikata të cilat i nevojiten për të rifreskuar lejen e qëndrimit në Greqi. “Për fat të mirë, pranë kësaj zyre mbarova punë shpejt pasi mu desh që të merrja certifikata, dhe më pas t’i vulosja pranë prefekturës. Arrita t’i nis në Tiranë ku për fat do të kthehen vetëm për dy ditë dhe më pas do të vazhdoj t’i vulos në konsullatën greke në Korçë”, -thekson Nani. Duke iu referuar shifrave zyrtare aplikantët këtë vit pranë postës në Korçë kanë qenë të shumtë, ndërkohë që duket se dyndja vazhdon të jetë e lartë dhe janë mbi 200 aplikime në ditë të paktën në 48 orët e fundit. Me këtë lloj shërbimi emigrantët evitojnë një udhëtim në kryeqytet, i cili është mjaft i kushtueshëm, ndërsa vetëm për 570 lek ata marrin certifikatën e legalizuar në dorë, përfshi në të dhe pagesën për Ministrinë e Jashtme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›