E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode flet mbi situatën financiare, PS kërkon transparencë

Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi sot në një konferencë për shtyp mbi situatën financiare në vend, se krahasuar me planin vjetor, këto shpenzime janë realizuar 54.3 %, ndërsa kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, shpenzimet buxhetore rezultojnë rreth 42 miliardë lekë me shumë.
     
"Në totalin e shpenzimeve buxhetore të realizuara gjatë kësaj periudhe të vitit 2009, shpenzimet korente zënë rreth 73.2 % nga rreth 74 % të parashikuara, ndërkohë që shpenzimet për investime zënë rreth 27 % nga 26 % të parashikuara", deklaroi Bode.
     
Sipas Bodes, shpenzimet korente në fund të shtatëmujorit 2009 arritën 154.8 miliardë lekë ose 93.13 % e parashikimit të periudhës, duke rezultuar me një mosrealizim prej rreth 11.4 miliardë lekë. Por, ai tha se krahasuar me planin vjetor këto shpenzime janë realizuar 52.7 %, ndërkohe që krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, këto shpenzime rezultojnë rreth 25 miliardë lekë më të larta, ose rreth 19.3 për qind më shumë.    

Ndërkohë, i menjëhershëm ishte reagimi i Partisë Socialiste, e cila kërkoi që ministri i Financave, Ridvan  Bode, të tregojë të vërtetën për financat e vendit.
      
Deputetja e PS-së, Mimi Kodheli, tha sot gjatë një konference për shtyp, se "ministri i  Financave duhet t’i tregojë të vërtetën shqiptarëve për mosfinancimin e kontratave që ka lidhur për rrugët e për mungesën e investimeve, për gropën e zezë të ekonomisë ku rrezikon të bjerë vendi".  
     
"Sot z. Bode më në fund ka pranuar se vendi ka patur krizë, edhe pse PS e ka bërë me dije një fakt të tillë prej shumë kohësh", tha Kodheli.

                                                                                             

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›