E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode merr edhe 125 milionë USD borxh

Ard Kola

Fund mandati

Kreu i Financave deklaron me krenari se do të firmosë huan me bankat arabe për rrugët

Sipas planit të qeverisë, rreth 60 për qind e investimeve publike do të realizohen përmes borxhit

ARD KOLA

BodeMinistri i Financave është duke firmosur një marrëveshje me bankat islamike për marrjen e një kredie prej 125 milionë dollarësh, me synim ndërtimin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë. Lajmin për borxhin e radhës, ministri ka preferuar ta ndajë me ndjekësit e tij në Facebook, duke shprehur me tone krenarie se çfarë synon të realizojë me borxhin. Marrëveshja vjen në një moment delikat për financat e vendit dhe në fund të mandatit qeverisës së demokratëve, ndërsa projekti në fjalë ka nisur prej disa vitesh, por firma për borxhin pritet të hidhet shumë shpejt.

Sipas ministrit, dy do të jenë bankat që mundësojnë kredinë, Banka Islamike për Zhvillim dhe Fondi Saudit për Zhvillim. Bode jep detaje teknike të rrugës, me gjatësi 43,4 km, por fsheh informacionin mbi huan, si do të paguhet, cilat janë kostot e interesave, afati etj. Bankat islamike kanë qenë aktive në tre vitet e fundit, duke akorduar mbi 300 milionë dollarë kredi, sidomos për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.

Sipas planit buxhetor, rreth 60 për qind e investimeve publike do të realizohen me ndihmën e bankave, pra do të merren hua, ndërsa për të gjithë vitin 2013, do të shpenzohen rreth 70 miliardë lekë. Sipas urdhrit të Kryeministrit, lëshuar institucioneve qendrore dhe në varësi të tyre, të gjitha prokurimet publike në sektorin e investimeve duhet të realizohen mundësisht brenda 6-mujorit të parë 2013.

Çështja e borxheve të qeverisë është diskutuar së tepërmi në këta tre vitet e fundit dhe rekomandimet e institucioneve të huaja ndërkombëtare për uljen e tij, nuk kanë gjetur zbatim. Meraku i FMN-së për vitin elektoral dhe rritjen e shpenzimeve të larta kishte të bënte pikërisht me faktin e mosrespektimit të disiplinës buxhetore.

Borxhi publik arriti në vitin 2012 shifrën e rreth 833 miliardë lekëve, kurse për këtë vit parashikohet të rritet me gati 9 për qind, për të arritur në nivelin e rreth 898 miliardë lekëve ose 6.5 miliardë eurove. Me këto të dhëna, mesatarisht, çdo shqiptari i takon të paguajë nga 2300 euro për shlyerjen e të gjithë borxhit, kurse një familjeje afro 6500 euro.

Ministria e Financave është treguar vitin e kaluar pak e kujdesshme për të menaxhuar borxhin, ndërsa të dhënat e fundit zyrtare dëshmojnë se situata doli tërësisht nga kontrolli në muajin nëntor 2012. Në këtë periudhë, kufiri i borxhit publik pësoi rritje, duke shkelur haptas ligjin e buxhetit.

Më 26 nëntor 2012, Ministria e Financave prezantoi në Parlament projektligjin për ndryshimin e tavanit të borxhit publik, konkretisht nenin 58, sipas të cilit, kufiri i lejuar ishte deri në 60 për qind. Në mesin e muajit dhjetor, projekti kalon në Kuvend dhe më pas hyn në fuqi, duke lejuar sipas programit rritje të borxhit në 62.6 për qind për vitin 2013.

Rritja e kufirit ishte veprim i detyruar i ministrit të Financave, në kushtet kur garancitë ndaj KESH-it po shtoheshin dhe kufiri ligjor po kapërcehej. Në fakt, dokumentet zyrtare, të miratuara po nga Ministria e Financave, tregojnë se ministri Ridvan Bode e kishte kapërcyer tavanin ligjor shumë më herët nga dita kur ligji u ndryshua. Kështu, deri në shtator 2012, kur ishte ende në fuqi ligji i vjetër me kufi 60 për qind, borxhi publik kishte arritur në 60.46 për qind, duke pësuar rritje në muajt tetor dhe nëntor, deri në 61 për qind.

Sipas bilancit të qeverisë, buxheti e mbylli vitin 2012 me një borxh prej 61.48 për qind në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), kur të paktën deri në ditët e para të muajit dhjetor, ishte ende në fuqi ligji me kufirin deri në 60 për qind. Ministria e Financave thotë se në muajt tetor, nëntor dhe dhjetor, të detyruar nga kushtet e krizës energjetike, qeveria dha hua përmes garancisë për Korporatën Elektroenergjetike (KESH) rreth 7 miliardë lekë. Kjo solli kapërcimin e borxhit, por ndikuar edhe nga elemente të tjera, si rënia e të ardhurave dhe në fund tkurrja e ekonomisë.

Seriozitetit i Ministrisë së Financave u vu në diskutim sërish një muaj pasi ligji i ri me tavanin e borxhit 62.6 për qind hyri në fuqi. Në janar, Financat hartojnë një dokument, mbi të cilin planifikohej një borxh me tjetër rritje, gati 64 për qind të PBB-së. Ky nivel ishte parashikuar më herët me shqetësim nga Fondi Monetar, zyra e Tiranës, duke i kërkuar qeverisë të ketë kujdes. Opozita shprehu merakun se me heqjen e kufirit ligjor, qeveria do të kryejë manovra të rrezikshme, në dëm të financave të shtetit shqiptar, për qëllime elektorale.

Interesi

Bie vlera

e eurobondit

Pas dhjetorit të vitit 2011, vlera e eurobondit shqiptar në tregjet e huaja ka arritur normën më të ulët (5.37%) gjatë shkurtit të vitit 2013, nga 12 për qind që ishte. Kujtojmë se eurobondi u lançua me normë interesi 7.5 për qind. Ekspertët gjykojnë se, ulja nuk ka ardhur për arsye të përmirësimit të kushteve të ekonomisë shqiptare, por për shkak të optimizmit të përgjithshëm në treg për borxhin qeveritar me norma të larta interesi. Kjo ka përmirësuar performancën e Eurobond-it shqiptar dhe aktualisht, qeveria shqiptare do të kishte kosto më të ulët riemetimi borxhi, krahasuar me emetimin fillestar.

Projekti

43.4 km i gjatë

375 m tunel

12 m gjerësia

20 ura dhe viadukte

2 korsi (7.5 m)

Bode merr edhe 125 milionë USD borxh burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›