Bogdani: Do të qëndroj për të rifituar statusin e titullarit

Altin B. Kodra
Sulmuesi rrëfen për "Standard" krizën e aktivizimit që po kalon te Siena, por premton të luftojë deri në fund
Është po aq e ndryshme sa dita është e ndryshme me natën ajo që po ndodh me Erion Bogdanin te Siena. Ka mjaftuar ndërrimi i trajnerit dhe një telenovelë e stërzgjatur në merkato dhe gjithcka ka ndryshuar për sulmuesin e Kombëtares kuqezi, i cili tashmë po i shijon me pikatore në Serinë A. Në fakt, edhe ai vetë e pohon se kjo që po i ndodh te Siena është dicka që s'e kishte menduar, por, ai ka parë shumë në futboll dhe e di që duhet të presë shansin e tij për të treguar aftësitë e tij. "Është e vërtetë që, nga sezoni i shkuar, në këtë aktualin, ka një ndryshim mjaft të madh për mua, përsa i përket paraqitjes te Siena, - rrëfen shtatlarti shqiptar i bardhezinjve toskanë, duke folur ekskluzivisht, nëpërmjet telefonit, për gazetën "Standard". - Edhe unë jam i ndërgjegjshëm se, të jesh një nga sulmuesit kryesor të skuadrës, duke shënuar 11 gola, dhe tashmë të kalosh këtë që po kaloj unë, ku minutat kanë qenë mjaft të limituara, nuk është normale. Por, e rëndësishme për mua është që nuk kam asnjë dëmtim dhe se po stërvitem normalisht." Në fakt, as vetë Erioni nuk mund të shpjegojë se cilat ishin arsyet e kësaj metamorfoze. "Nuk e di... dhe nuk arrij t'i kuptoj arsyet e aktivizimit tim të paktë", - përgjigjet ai, i pyetur nga "Standard" nëse po paguan zemërimin e klubit për mospranimin e shitjes në një klub tjetër gjatë merkatos së verës. Në fakt, shqiptari ishte shumë pranë Udinezes gjatë merkatos së verës, ndërkohë që emri i tij u lakua edhe në lidhje me klube si Torino, Roma, Lacio e Sampdoria në Itali, Atletiko e Madridit në Spanjë dhe një klub anglez. Por, 1 shtatori 2006, dita e skadimit të afatit të merkatos, e gjeti Bogdanin sërish te Siena. "Nuk mund të them që klubi po më ndëshkon, sepse, vjet, unë kam nënshkruar një kontratë 4-vjecare, e cila duhet thënë se është mjaft e kënaqshme në aspektin financiar, - pohon 29-vjecari. - Dhe, duke patur parasysh një gjë të tillë, është padyshim absurde që të mendosh se klubi po më ndëshkon." Ndërkaq, Bogdani thekson se ai nuk ka asnjëlloj konflikti me trajnerin e ri të skuadrës, Bereta, duke i cilësuar marrëdhëniet me trajnerin mëse normale, por, duke theksuar se aktivizimi është zgjedhje e trajnerit, mbase edhe për arsye taktike. Sulmuesi shqiptar nuk e pohon mundësinë e largimit nga kjo skuadër në merkaton e janarit, por, ai do të dëshironte të qëndronte dhe të rifitonte vendin e tij si titullar në 11-shen e parë. "Natyrisht që kjo është një mundësi, që, duke patur parasysh kontratën time, mund të bëhet realitet, mbase në formën e huazimit, - thotë Bogdani. - Por unë do të dëshiroja që të rifitoja vendin tim në formacion, pasi jam mëse i aftë dhe i denjë për të." Erion Bogdani është padyshim "legjonari" që ka spikatur në sezonin e shkuar futbollistik, duke eklipsuar edhe kapitenin e Kombëtares kuqezi, Igli Tare, apo edhe shokët e tij të skuadrës kuqezi që luajnë në Gjermani, të tillë si Ervin Skela te Kaizerslauterni, Altin Lala te Hanoveri apo Fatmir Vata te Arminia e Bielefeldit. 29-vjecari, i cili erdhi te Siena në fillim të sezonit të shkuar, e përligji më së miri besimin që i dha trajneri i skuadrës bardhezi, Luixhi Di Kanio. Dhe shqiptari shtatlartë erdhi duke e ngritur nivelin e lojës së tij, duke arritur të gjente gjithnjë e më shpesh rrugën e rrjetës dhe, në përfundim të 38 javëve të kampionatit të Serisë A, Bogdani kishte sigluar plot 11 gola, duke u radhitur kështu midis më mirëve të nivelit më të lartë të futbollit italian. Këto gola të tij lënë pas ato 3 gola të shënuar nga Igli Tare te Lacio, edhe për arsye se Bogdani luajti për plot 34 ndeshje dhe 2838 minuta, krahasuar me 22 ndeshjet dhe 719 minutat që ka luajtur shqiptari i bardhekaltërve. Sikur të mos ishte për dëmtimet dhe, mbase, edhe për paragjykimet e shokëve të tij të skuadrës, Bogdani me siguri që do të kishte arritur të shënonte edhe më tepër. Gjithsesi, kjo nuk ia ka zbehur shkëlqimin këtij lojtari, që është vlerësuar mjaft nga opinioni dhe specialistët e futbollit në Itali, duke e bërë atë edhe shumë të kërkuar nga disa prej klubeve më në zë të Serisë A dhe B. Erion Bogdani është shqiptari i dytë, pas 63 vjetësh, që ka shënuar një trigolësh shqiptar në Serie A, (në fitoren 3-1 kundër Palermos) pas atij të Riza Lushtës, në sezonin futbollistik 1942-1943. Në sezonin 1941-1942, Lushta ishte "capocannoniere" (golashënuesi më i mirë) i Serisë A, me 24 gola. Në atë sezon Lushta shënoi dy trigolësha dhe 4 dygolësha. Në sezonin në vazhdim, atë 1942-1943, Riza Lushta ishte golashënuesi i dytë më i mirë i Serisë A, me 18 gola, pas Sentimentit (i cili shënoi 24 gola).