Zidan: Jetoj edhe pa futbollin

Altin B. Kodra
Legjenda e futbollit francez rrëfen jetën pas tërheqjes nga sporti, por shtyn për më vonë idenë e të qenit trajner
Zinedin Zidan thotë se ai po e përballon mjaft mirë jetën jashtë futbollit të luajtur dhe shton se nuk ka planifikuar, në një të ardhme të afërt, që të fillojë karrierën e tij si trajner. Ish-fantazisti i përfaqësueses së Francës dhe Realit të Madridit, i cili u tërhoq nga futbolli pas humbjes që "Les Blues" pësuan në finalen e Botërorit 2006, më 9 korrik, përballë Italisë, tha se atij nuk i mungonte edhe aq futbolli i luajtur. "Nuk më mungon futbolli", - deklaroi ai në një intervistë të botuar në numrin e djeshëm të së përditshmes sportive spanjolle, "L'Equipe". "Kur Reali i Madridit nisi sezonin, nuk është se ndjeva ndonjë gjë, por, mbase ndjej më vonë", - shtoi ai. Zidan, i cili sapo ka nënshkruar një kontratë për të punuar si konsultant për rrjetin televiziv francez me pagesë, "Canal Plus", tha se ai mund të bëhet trajner një ditë, por jo sot për sot. "Unë do të qëndroj pranë futbollit, sepse kjo është ajo që unë di të bëj, - tha ai në vijim të intervistës së tij. - Nëse do të më pyesni nëse unë do të bëhem trajner, për momentin, përgjigjja ime do të jetë "jo". Por, pas 10 vjetësh... nuk i dihet." Ndërkohë legjenda e futbolli francez shtoi se një mundësi tjetër është blerja e një klubi. "Kjo do të ishte një sfidë e pëlqyeshme", - tha ai. Zidan u ndëshkua me karton të kuq 10 minuta përpara pjesës së dytë të shtesës së finales së Botërorit, më 9 korrik 200, në Berlin, pasi goditi me kokë në gjoks mbrojtësin e Italisë, Marko Materaci. Kjo bëri që ai të mungonte në goditjen e 11-metërshave, të cilat vulosën fatin e finales në favor të Italisë. Veprimi i Zidanit u shndërrua një një hit muzikor të verës, në këngën "Coup de Boule" (Goditja me kokë). "Ajo (këngë) ishte për të qeshur, ndonëse ajo që unë bëra nuk është aspak për të qeshur, - deklaroi 34-vjecari Zidan, duke folur për "L'Equipe". - Gjithsesi, më mirë të qeshin me atë veprim." Ndëshkimi me karton të kuq nuk e pengoi mesfushorin francez të përfshihet midis 30 kandidaturace që FIFA ka parashtruar për cmimin e "Lojtarit Botëror të Vitit", një nder ky që ai e ka fituar m3 herë në karrierën e tij si lojtar. Në intervistën e tij, Zinedin Zidan theksonte gjithashtu se ai dëshironte që Fabien Bartez të firmosë për Celsin. Klubi anglez ka probleme me portierët, pas dëmtimit serioz që pësoi portieri i parë, Petr Ceh. "Unë do të kënaqesha pa masë, sepse vetë Fabieni dëshironte të vazhdonte të luante, - u përgjigj Zidan, i pyetur rreth zërave se ish-portieri i përfaqësueses së Francës mund të jetë një mundësi reale për kampionen e Anglisë. - Do të ishte mjafty mirë për të (Bartezin) që të nënshkruante për një klub të madh dhe, pse jo, edhe për Celsin." Ndërkohë, kjo ide e Zidanit mund të jetë pranë realizimit, të paktën nga ato lajme që vijnë nga Londra. Trajneri i Celsit, Hoze Murinjo, është shprehur të mërkurën se klubi i tij mund ta rekrutojë portierin francez, pasi portieri Petr Ceh është i padisponueshëm. Pas fitores së ekipit të tij ndaj Barcelonës për Ligën e Kampioneve, portugezi tha se "po kërkojmë një portier rezervë. Por, Fabien Bartezi nuk është portier rezervë, sepse ai ka një emër të madh. Nuk është e lehtë që ai të vijë e të luajë në këtë ekip", - theksoi Murinjo, i cili evokoi talentin e dy portierëve të tjerë, Karlo Kudicinit dhe Henrike Hilarios.