Bogdani: Edi Rama mbron kupolën e mafies në PS

Deputeti i Partisë Demokratike Gerti Bogdani deklaroi dje gjatë një reagimi për mediat se Edi Rama vazhdon avokatinë e tij ndaj kupolës së mafies që po mban peng Partinë Socialiste jashtë Parlamentit.
“I tronditur nga beteja ligjore kundër mafies, njeriu që ka ndërtuar pallatet e tij mbi rrugët e qytetit, njeriu që miratoi qytezën Rama – Delijorgji me 52 pallate, që 70 për qind të lejeve të ndërtimit i merr për vete nëpërmjet Eftimit dhe Ledi Lejes, tani ndërsen çakejtë e tij çdo ditë për të denoncuar luftën, pa ngjyra politike, të Kryeministrit z.Berisha kundra mafies. Madje shpreh dhe shqetësimin pse Berisha paska kërkuar mbështetjen e PPE (Partive Popullore Evropiane) në këtë luftë”, u shpreh Bogdani.
Deputeti demokrat bëri me dije se në luftën kundër mafies qeveria dhe kryeministri Berisha janë të vendosur për tolerancë zero.
“Mund t’i bëjmë të ditur Edi Ramës, se në këtë betejë Sali Berisha është i vendosur të bëjë luftë me tolerancë ‘0’ ndaj mafies pa asnjë dallim politik dhe se ka marrë mbështetjen e fuqishme nga aleatët e tij të PPE-së, të cilët duartrokitën zotimin e Berishës në Kongresin e Bonnit për të vazhduar këtë luftë me tolerancë ‘0’”, nënvizoi Gerti Bogdani.