E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdani: Lamtumirë Kombëtares, nëse nuk jam në nivele të larta

Sulmuesi kuqezi, në pritje të transferimit te Leçe

Ende pa u akomoduar mirë në hotelin ku Kombëtarja shqiptare qëndron e grumbulluar në Durrës, Erjon Bogdani ka folur për të ardhmen e tij kuqezi. Sulmuesi, i cili është nën urdhrat e trajnerit Josip Kuzhe, vetëm mesditën e djeshme, konfirmoi se ky do të jetë edicioni i fundit në arenën ndërkombëtare. 33-vjeçari, së bashku me Lalën, Skelën, Beqajn apo Duron cilësohen si elementë të rëndësishëm nga tekniku kroat në eliminatoret e Euro 2012. Përvoja e tyre do t’i shërbejë shumë përfaqësueses në sfidat e Grupit D, ku objektivi madhor është renditja në vendin e katërt, ndërsa ëndrra mbetet vendi i tretë. “është e vërtetë që ky do të jetë edicioni im i fundit në Kombëtare. Në bisedat që kam zhvilluar me trajnerin, ai më ka konfirmuar se më cilëson një element të rëndësishëm dhe se nëse ndihem mirë fizikisht, mund t’i jap shumë skuadrës”, deklaroi Bogdani. “Unë do të jap kontributin për Shqipërinë, për aq kohë sa do të kem mundësi. Nuk e përjashtoj që të largohem nga Kombëtarja, nëse nuk do të aktivizohem në nivele të larta. Kombëtarja ka filluar një proces rinovimi të kontingjentit dhe natyrisht që duhet t’u lëmë hapësira futbollistëve të rinj”.
Me mbylljen e sezonit në Serinë A duket e pashmangshme që me Bogdanin të mos flasësh për merkaton. Kjo edhe për faktin se 33-vjeçari nuk do të aktivizohet më me Kievon. Klubi veronez i ofroi vetëm një vit qëndrim, por për vetë moshën që ka, sulmuesi kërkon një akord afatgjatë, duke qenë se kjo mund të jetë kontrata e tij e fundit në karrierë: “Kievo më ofroi kontratë njëvjeçare, megjithatë e refuzova. Duhet ta pranojmë se në moshën që kam, preferoj një kontratë afatgjatë. Vendimi im erdhi edhe për faktin se ka disa skuadra të tjera, të cilat janë shfaqur të interesuara për shërbimet e mia”. Ai tregoi edhe disa nga prapaskenat e aktivizimit të pakët në pjesën e dytë të sezonit: “Marrëdhëniet me trajnerin Di Karlo janë shumë të mira. Biseduam pas ndeshjes së fundit me Romën, ku më aktivizoi dhe më falënderoi. Më tha: ‘E ke merituar të luash, pavarësisht mënyrës sesi rrodhën ngjarjet. Je sjellë si një profesionist i vërtetë, megjithatë duhet të shoh interesat e klubit’. Për të qenë i sinqertë, zemërimi im lidhet me drejtuesit, pasi nuk e prisja që në ndeshjet e fundit të më linin në tribunë”. Rreth ofertave, “Er-Bomber” pohoi se në harkun e dhjetë ditëve do të vendosë të ardhmen, ndërsa momentalisht është në pritje të Leçes, skuadër që sapo u ngjit në elitën e futbollit italian, si fituese e Serisë B. “Po pres Leçen, por edhe Bolonja është një alternativë. Por, oferta kam edhe nga skuadra të tjera dhe mendoj se pas dhjetë ditëve, ose ndoshta edhe më shpejt, do të konfirmoj skuadrën me të cilën do të luaj në të ardhmen”, përfundoi Bogdani.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›