E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpejtësia dhe lagështia vrasin të riun nga Lazarati

Gjirokastër Makina u përplas me një bordurë pranë Sofratikës

Një i ri nga Lazarati humbi jetën dje në mëngjes, në aksin e rrugës kombëtare Gjirokastër-Kakavijë, në vendin e quajtur kryqëzimi i Sofratikës, pasi automjeti me të cilin udhëtonte doli nga rruga dhe u përplas me një bordurë.

Policia e Gjirokastrës saktësoi se në vendin ku aksi i rrugës kombëtare Gjirokastër-Kakavijë kryqëzohet me rrugët dytësore automobilistike të Libohovës dhe Sofratikës, automjeti tip “Volkswagen”, me traga GJ0100B, që drejtohej nga shtetasi Arbër Kasma, i datëlindjes 1987, lindur dhe banues në fshatin Lazarat, ka dalë jashtë rruge dhe është përplasur në një bordurë dhe më pas ka përfunduar në një gropë në të djathtë të autostradës.

Si pasojë, 23-vjeçari Arbër Kasma është dëmtuar rëndë, sidomos në pjesën e kokës dhe ndonëse është transportuar menjëherë për në spitalin Rajonal të Gjirokastrës, si pasojë e plagëve të rënda, ka humbur jetën gjatë rrugës për në spital. Policia bëri të ditur se drejtimi i lëvizjes së automjetit ishte nga Jorgucati për në qytetin e Gjirokastrës, por pas humbjes së kontrollit, automjeti ka dalë në krahun e kundërt të rrugës. Grupi hetimor ka konstatuar paraprakisht se shkaku i daljes nga rruga ishte lagështira në rrugë dhe shpejtësia tej normave të lejuara, por po vazhdon veprimet për përcaktimin e saktë të shkakut të daljes nga rruga.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›