Korçë, nëna mbyt fëmijën, sepse qante shumë
Një nënë 23-vjeçare ka rrahur foshnjën e saj, duke i shkaktuar vdekjen. Ngjarja e rëndë dhe e pazakontë ka ndodhur në fshatin Zëmblak, kur Sonila Lumi, 23 vjeçe, ka rrahur barbarisht fëmijën e vetëm një vjeç e gjysmë, Kristjanon, sepse nuk duronte dot të qarat e tij. Burimet e policisë thonë se nëna e ka vrarë fëmijën duke e dhunuar fizikisht, pasi nuk arrinte ta qetësonte dot dhe fëmija qante pa pushim.
KrimiNgjarja e rëndë mendohet se ka ndodhur rreth orës 12:00, por vrasja e fëmijës është zbuluar tri orë më vonë, kur prindërit e kanë çuar të vdekur në spitalin civil të Korçës. Nëna 23-vjeçare nga fshati Vidohovë i Devollit, e martuar në fshatin Zëmblak, ka qenë në shtëpi vetëm me fëmijën kur e ka rrahur atë deri sa i ka marrë jetën, ndërsa burri, Eduard Hoxhalli 27 vjeç, nuk ndodhej aty. Gruaja 23 vjeçe e ka thirrur burrin kur ka parë që fëmija kishte mbetur pa ndjenja dhe të dy bashkë i janë drejtuar spitalit të Korçës, ku u thanë mjekëve se fëmija ishte sëmurë rëndë. Gruaja i kishte treguar këtë version edhe burrit të saj, por kur është konstatuar se fëmija një vjeç e gjysmë kishte vdekur, ishte babai i tij i pari që ngriti dyshimet për një vrasje.
Ai ka treguar se e kishte gjetur fëmijën në shtrat me shenja dhune dhe se nuk kishte qenë në banesë kur kishte ndodhur ngjarja e rëndë. Eduart Hoxhalli kishte dalë me bagëti dhe vetëm në mesditë ka konstatuar ngjarjen e rëndë, pasi fëmija kishte vdekur dhe ai e kishte parë atë në shtrat të nxirë.
Policia është njoftuar nga ana e spitalit për një fëmijë që është sjellë i vdekur nga prindërit dhe ka nisur menjëherë hetimet, ndërkohë që trupi i pajetë i të voglit është dërguar në morg. Sipas policisë, ekspertët kanë vërejtur shenja të dukshme dhune në trupin e fëmijës, që sipas të dhënave është qëlluar me grushte, por krahas dhunës fizike, nëna mësohet se e ka shtrënguar atë në fyt. Mjekët thanë se në fytin e djalit dalloheshin qartë shenjat e duarve dhe mendojnë se pikërisht ky shtrëngim i ka shkaktuar vdekjen atij.
Familja Hoxhalli jetonte në kushtet e një varfërie ekstreme, e rrjedhimisht edhe gjendja psikologjike e të rriturve të kësaj familjeje nuk ishte normale.
Versioni zyrtarBurimet policore deklaruan se nëna e kishte mbytur fëmijën e saj 18-muajsh pasi e kishte goditur disa herë me grushte, vetëm sepse ai po qante. Sonila Lumi është arrestuar nga policia për vrasje në rrethana cilësuese. Ajo ishte martuar në fshatin Zëmblak, por nuk kishte bërë celebrime me babain e fëmijës, 27-vjeçarin Eduard Hoxhalli. Policia saktësoi gjithashtu se gruaja ka qenë vetëm në shtëpi kur e ka kryer krimin. Nga akti i ekspertizës ka rezultuar se fëmija i vdekur ka pasur shenja të goditjeve në fytyrë dhe në gjoks, dhe mendohet se nëna e ka goditur me grushte. Ndërkohë që në fyt ka pasur shenja të dukshme të gishtërinjve. Nga deklaratat që Eduart Hoxhalli ka dhënë për policinë, Sonila Lumi, gruaja e tij, nuk i ka pohuar burrit të saj se i kishte ushtruar dhunë fëmijës, derisa i shkaktoi edhe vdekjen, por i ka kërkuar ta çojnë Kristjanon në spital, pasi nuk ishte mirë me shëndet. Pasi nga ana e spitalit është njoftuar policia dhe burri i 23-vjeçares ka ngritur dyshimet, ajo është shoqëruar menjëherë në komisariatin e policisë. Ndaj saj rëndon akuza e vrasjes dhe policia ka bërë arrestimin e menjëhershëm.
#