E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdani: Në dhjetor mbledhje me KLGJ-në për sigurinë në sistemin e drejtësisë

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani raportoi sot në Kuvend për veprimtarinë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për vitin 2024.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetit të Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, në lidhje me sigurinë në gjykata, Bogdani tha se në dhjetor pritet që të zhvillohet një mbledhje e përbashkët me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorinë e Përgjithshme për të adresuar çështjet e sigurisë.

“Kuadri legjislativ lidhur me sigurinë e magjistratit në nivelin teknik, pra ligjor, është i plotë, gjithashtu zbatimi mbetet sfidë jo vetëm për këshillin por për të gjithë institucionet e drejtësisë. Pjesa e sigurisë apo infrastruktura në prokurori, nga niveli i adresimit të masave varet nga KLP i cili në bashkëpunim me KLGJ duhet të hartojë strategji për sigurinë në gjykata dhe prokuroria. Është duke u punuar që mbledhja e përbashkët me KLGJ të adresojë në mënyrë të dedikuar këtë çështje.

“Është një mbledhje që do të zhvillohet në dhjetor 2025. Për çështjen e infrastrukturës është Prokurori i Përgjithshëm institucioni që ka buxhetin për të menaxhuar çështjet e sigurisë, të godinave dhe infrastrukturës dhe të gjitha çështjeve të tjera. Në takimin e përbashkët do të jetë pjesë dhe prokurori, për të adresuar në mënyrë të plotë këto çështje”, tha Bogdani.

Bogdani bëri të ditur se për vitin 2024 janë marrë në mbrojtje rreth 11 prokurorë, ndërsa për këtë vit, deri tani 7 prokurorë janë marrë në mbrojtje.

“Lidhur me masat konkrete, brenda Këshillit funksionon një komision ad hoc, që është komisioni për mbrojtjen e prokurorëve. Për vitin 2024 kanë qenë rreth 11 prokurorë që kanë bërë kërkesa dhe u është miratuar kërkesa për të pasur mbrojtje të plotë jo vetëm për ata, por edhe familjarët e tyre. Aktualisht për vitin 2025 deri tani janë shtatë të tillë”, tha Bogdani.

Çështja për shtimin e masave dhe rritje e sigurisë në gjykata u ngrit pas vrasjes më 6 tetor në sallën e gjyqit, të gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, teksa ishte në krye të detyrës.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›