Bogdani: Premtimet e mbajtura, argumenti për mandatin e tretë
Kuvendi i VI i Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Kukës
Kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Gert Bogdani u ka bërë thirrje të rinjve kuksianë të dalin derë më derë për të kërkuar votat e çdo shqiptari për një mandat të tretë të mazhorancës. Bogdani ka shtuar se Partia Demokratike shkon përpara elektoratit me premtime të mbajtura ku veçoi ndërtimin e “Rrugës së kombit”, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe liberalizimin e vizave. “Sikurse keni bërë ndër vite, edhe këtë fushatë zgjedhore do trokisni derë më derë, do trokisni në çdo zemër, do trokisni në çdo mendje të bashkëmoshatarëve tuaj për të kërkuar mbështetje për PD. Mund të shkojmë ballë hapur tek bashkëmoshatarët tanë, mund të shkojmë ballëhapur për të kërkuar mbështetje se në këto vite PD ka treguar që atë që premton, atë e realizon”, theksoi Bogdani. Gert Bogdani ishte i pranishëm në kuvendin e gjashtë të forumit rinor të Partisë Demokratike në Kukës. Kreu i forumit rinor përfundoi duke shprehur besimin se në bashkëpunim me të rinjtë kuksianë do t’i japin qeverisë aktuale mandatin e tretë qeverisës.