Ministrat e Greqisë, Italisë e Zvicrës konfirmojnë interesin për projektin

Gazsjellësi Trans Adriatik, diskutime në forumin ekonomik në Davos
Në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit qeveritë konfirmojnë rëndësinë strategjike të gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline. Ministrat e lartë të Greqisë, Italisë dhe Zvicrës kanë konfirmuar interesin e vendeve të tyre për projektin. Të pranishëm kanë qenë edhe administratorët e aksionerëve të TAP, SOCAR, E. ON Ruhrgas dhe Axpo.
“Diskutuam përparimin e jashtëzakonshëm që ka bërë TAP-i në muajt e fundit, duke përfshirë marrëveshjen me qeverinë shqiptare në 18 janar”, shprehet drejtori i TAP, Tungland. Klaus Schäfer i përfaqësuesve gjermanë të “Ruhrgas”, thotë se mbështetja e vendeve pritëse e ka vënë gazsjellësin Trans Adriatik Pipeline në një pozitë të fortë për të fituar ofertën në qershor 2013. Presidenti i Socar, Rovnag Abdulayev vlerëson qeveritë pritëse të tre vendeve për angazhimin maksimal të tyre për të bërë TAP një realitet. Zëdhënësi i ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, Gregori Delavekuras deklaroi se lidhur me gazsjellësin TAP, vazhdojnë të zhvillohen konsultimet për nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërqeveritare ndërmjet tre vendeve, Greqi, Shqipëri dhe Itali. Në përgjigje të shqetësimit të gazetarëve se procedurat për nënshkrimin e një marrëveshjeje qeveritare po vonojnë, ndërsa koha po kalon, Delavekuras tha se projekti TAP është një plan strategjik është i një rëndësie të madhe për të treja vendet, por jo vetëm për ato. “Është një projekt me rëndësi strategjike për vetë Bashkimin Evropian dhe ne shpresojmë se do të ketë një përparim pozitiv në periudhën e ardhshme. Shpresojmë që në të ardhmen të zbatohet ky projekt me përfitime shumë pozitive për të gjitha vendet dhe Bashkimin evropian”- tha Delavekuras.