E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Rama të mbajë premtimet elektorale, të lërë shpikjet e fund-gushtit

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani ka reaguar pas ditës së parë të konferencës së Partisë së Partisë Socialiste mbi territorin. Sipas Bogdanit, Rama duhet të përballet me premtimet elektorale që ju ka bërë qytetarëve, ndërsa i ka quajtur shpike të fund gushtit, temat e diskutuara në konferencë.

Sipas Bogdanit, ai ka ardhur në pushtet për të qeverisur të mirat dhe përfitimet me grupimet e tij dhe biznesmenët që e ndihmuan të vijë në pushtet.

“Kryesocialisti po vazhdon në rrugën e tij të zbulimit të botës, me ide të cuditshme, duke na dëshmuar se sa kaos ka në mendjen e tij për zhvillimin e vendit. Habit të madh e të vogël kur pasi shpalli se Shqipërisë i duhen redaktorët e shqipes për të ecur përpara, tani ka zbuluar se në këtë drejtim nevojiten dhe artistët e sociologët. Këto janë thjesht bojëra për të mbuluar tablonë e tij të vërtetë, se ai ka ardhur në pushtet për të qeverisur të mirat dhe përfitimet me grupimet e tij dhe biznesmenët që e ndihmuan të vijë në pushtet", komentoi ai.

“Lypset t'i kujtojmë se fushata zgjedhore ka mbaruar dhe se këto idetë e tij të reja dhe zbulimi që po i bën botës janë të pavend, në mos qesharake. Kryesocialisti premtoi shëndetësi falas, premtoi heqje të taksës së biznesit të vogël, legalizim falas, dhe ulje të taksës për 95% të shqiptarëve. Njerëzit me të drejtë presin zhvillimin e këtyre ideve e të këtij programi, dhe jo zbulesat e mëdha të z.Rama. Premtimet elektorale janë marrëveshja që ai ka me qytetarët, dhe ai do të duhet të përballet me këto sfida. Nuk mund ta marrë lehtë me shpikje të fund-gushtit. Qeverisja kërkon seriozitet, dhe kjo nis nga mbajtja e premtimeve”, shprehet Bogdani më tej në komentin e tij në Facebook.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›