E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjakmarrja, 611 fëmijë nuk do ndjekin vitin e ri shkollor

TIRANE-Të dënuar nga krime që nuk kanë lidhje me ta, por me familjet e tyre. Fëmijë të pafajshëm që janë të detyruar të rrinë mbyllur në shtëpi nga frika se dikush mund t'u marrë jetën nga momenti në moment. Gjakmarrja vazhdon të lërë pasojat e saj, ndërsa më të prekurit duket se janë pikërisht fëmijët e familjeve në gjak, të cilët nuk po kursehen edhe pse Kanuni ndalon vrasjen e tyre. E ndonëse Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar datën 16 shtator si nisjen e vitit të ri shkollor, plot 611 fëmijë të moshave nga 7-18 vjeç nuk do të kenë mundësi të ulen në bankat e shkollës.

Të dhënat bëhen publike nga Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar, ndërsa kreu Gjin Marku shpjegon se falë punës së bërë është mundësuar që ky numër të reduktohet. Kjo, pasi në vitin 2011 numëroheshin plot 903 fëmijë të ngujuar që nuk mund të ndiqnin dot shkollën. Gjithashtu, Marku shpjegon se më problematike tashmë nuk janë zonat veriore, por qytetet e mëdha si Tirana apo Durrësi. Kjo, pasi familjet e ngujuara janë zhvendosur drejt këtyre qyteteve për t'i shpëtuar gjakmarrjes.

Shifrat
Sipas të dhënave që disponon Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar, aktualisht numërohen 1208 familje të ngujuara. Gjatë vitit 2012, ekspedita liroi nga ngujimi 308 familje që e zgjidhën hasmërinë me pajtim, 45 prej të cilave pranuan t'ia lënë çështjen drejtësisë pa asnjë pretendim. Në vitin 2011 ishin 903 fëmijë që kishin lënë shkollën për shkak të frikës nga gjakmarrja, 178 prej të cilëve në rrezikshmëri të lartë për jetën. Të tjerët fshiheshin në metropole me identitet të rremë dhe akoma punojnë për të mbështetur familjet e tyre në hasmëri, duke e braktisur shkollën. Në sajë të ekspeditës, gjatë vitit 2012 janë kthyer në shkollë 184 nga këta fëmijë dhe në fund të saj numri i fëmijëve të ngujuar ka rënë në 611. Gjithashtu, janë zgjidhur me mirëkuptim 1600 konflikte për tokën dhe 630 për pronën, 56 familje me konflikte bashkëshortore, 23 prej të cilave për çështje nderi, si dhe janë mbyllur me mirëkuptim 56 gjakmarrje të fshehta për trafikimin e femrës, pa dijeninë e të afërmve dhe opinionit përreth.

Rezultatet më të mira në procesin e pajtimit janë kryesisht në zonat ku respektohet tradita pozitive. Kjo kulturë tradicionale është kultura e ligjit dhe rregullit në shoqëri, që ka bërë të mundur zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me mirëkuptim duke respektuar vendimmarrjen në komunitet. Në këtë bashkëpunim, Komiteti kërkon të ndër-gjegjësojë çdo qytetar se asnjë njeri nuk duhet të pranojë hakmarrjen apo vetëgjyqësinë në zgjidhjen e problemeve.

MASH
Për fëmijët e ngujuar, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka aplikuar një projekt, që parashikon dër-gimin e mësuesve nëpër banesa dhe zhvillimin e disa prej lëndëve më kryesore. Por, këto projekte cilësohen si të padobishme nga kreu i Komitetit të Pajtimit Mbarë-kombëtar, pasi sipas tij, ato janë të fokusuara vetëm në Shkodër e jo në rrethe të tjera. Gjithashtu, ai kërkon marrjen e masave konkrete për zgjidhjen e këtij problemi. Ndërkohë që, sipas MASH, në të gjithë Shqipërinë janë aktualisht rreth 60 fëmijë të cilët trajtohen në 22 qendra rezidenciale arsimore. Në këto qendra ata kanë mundësi të ndjekin programet mësimore, ndërkohë që në dispozicion të tyre janë rreth 35 mësues e psikologë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›