E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Rinumërimi i votave në Lezhë, tregoi manipulimet e Ramës

TIRANE - Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani deklaroi sot se "shqyrtimi i tabelave origjinale të 10 qendrave të votimit në qarkun e Lezhës dhe numërimi më pas para kamerave i votave të hedhura në këto dhjetë kuti votimi, nxori në dritën e diellit fytyrën e fitores së Edi Ramës të bazuar mbi krimin, drogën dhe trafiqet".

Në një deklaratë për mediat, nga selia blu, Bogdani tha se, 'Edi Rama me bandën e tij në listën e deputetëve të përbërë nga kriminelë të dënuar nga drejtësia shqiptare dhe ajo e vendeve të tjera për vrasje, trafik droge dhe prostitucion, pasi zhduku me terror dhunë dhe para te pista, tabelat origjinale të rezultateve të këtyre dhjetë qendrave dhe dorëzoi në KQZ tabela të falsifikuara nën kërcënimin e armëve dhe parave të drogës, sipas të cilave Edi Rama kishte fituar mandatin e katërt në qarkun e Lezhës me mbi 400 vota më tepër se sa PD".

Ai shtoi se pasi KQZ me kërkesën e ligjshme të PD hapi, në prani të përfaqësuesve të PS, kutitë e materialeve të votimit dhe nxori tabelat origjinale të rezultateve të votimit, u provua se tabelat e Edi Ramës ishin një falsifikim i paskrupullt, prej më shumë se 400 vota dhe se sipas tabelave origjinale në qarkun e Lezhës, mandati i katërt i takonte PD me 100 vota avantazh.

"Partia Demokratike në një akt përgjegjësie morale, ka njohur dhe pranuar me dinjitet rezultatin e zgjedhjeve të diktuar nga mashtrimet e premtimet antiglobaliste të Edi Ramës", përfundoi deklaratën për mediat deputeti i PD-së.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›