Bogdani, jashtë planeve të Kievos, në qershor do të lihet i lirë
Fundi i sezonit po afron dhe për Erjon Bogdanin. Pikërisht në këtë kohë ka ardhur një lajm i keq. Në muajin qershor ai do të duhet të kërkojë në skuadër të re, ku do të mund të vazhdonte karrierën e tij si futbollit. Ky është konkluzioni i gazetës italiane “Il Leggo”, e cila është shumë pranë klubit veronez. Kjo e përditshme ka prekur në shkrimet e saj të djeshme temën e grupit të ardhshëm të futbollistëve që do të rikonfirmohen te Kievo. “Il Leggo” ka folur me siguri se sulmuesi shqiptar nuk hyn më në planet e klubit veronez për sezonin e ardhshëm dhe kështu që në muajin qershor, kur edhe i skadon kontrata që e mbante të lidhur me këtë skuadër, do të jetë futbollist i lirë. Kjo situatë ka ardhur falë prishjes së marrëdhënies së shqiptarit me trajnerin e Kievos, Mimi Di Kalro. Bogdani, tashmë 33-vjeçar, e ka filluar karrierën e tij si futbollist te Partizani, me të cilin është aktivizuar në sezonet 1994-1998. Në janar të ‘98-s nisi aventura e tij në kampionatet e huaja, kur kaloi Gençlerbirxhi për vetëm 6 muaj dhe më pas pranoi ofertën e Kroacia Zagreb, ku luajti një sezon e gjysmë dhe shënoi 8 gola. Në janar 2000 u transferua te Rexhina në Serinë A, ku në tre sezone e gjysmë shënoi 11 gol. Me kalabrezët, Erjoni koleksionoi në total 37 prezenca, 4 gola në Serinë A. Në dysezonet pasuese u dha në formë huazimi te Salernitana dhe më pas te Verona, ku realizoi edhe kampionatin e tij më të mirë me 17 gola, i katërti në listën e golashënuesve në Serinë B. Në verën pasuese blihet nga Siena për 1,5 milionë euro, ku shënoi 13 gola në Serinë A në një sezon e gjysmë. Në fakt, në janar 2007 ndryshoi sërish skuadër, pasi u ble nga Kievo për 3 milionë euro dhe në fund të sezonit u dha në formë huazimi te Livorno. Por atje Bogdani zhgënjeu me 2 gola në 25 ndeshje. Në fillim të sezonit 2008-2009 u rikthyer te Kievo, ku ka luajtur deri më tani. I vetmi trofe i fituar nga Bogdani jashtë Shqipërisë është shpallja kampion i Serisë B me Rexhinën në 2001-2002.
#