Shkumbini bind Daiun, rikthehet deri në fund të sezonit
Nuk e përtypi dot humbjen me Tiranën të shtunën e fundit dhe në përfundim të takimit, Përparim Daiu u shfaq para lojtarëve të tij për t’i falënderuar për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për të deklaruar dorëheqjen e tij. Lajmi ishte i papritur për të gjithë, sidomos për drejtuesit e klubit, të cilët u gjendën të papërgatitur pikërisht tani, kur është edhe pika kulmore e kampionatit. Për këtë arsye ata insistuan fort për t’i ndryshuar mendjen trajnerin dhe më në fund ia arritën ta bindin të rikthehet. Kjo është e reja më e fundit që vjen nga kampi peqinas. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga vetë shefi i këtij klubi, Astrit Isai, pas një mbledhjeje të drejtuesve të lartë të klubit, ku merrte pjesë edhe Daiu: “Daiu do të vazhdojë të drejtojë Shkumbinin deri në përfundim të këtij sezoni, u shpreh dje Isai. Ai do vazhdojë detyrën në kërkim të realizimit të objektivave të skuadrës në këto pesë ndeshjet e mbetura, ku ne do të synojmë të marrim maksimumin e pikëve për të pretenduar për një vend më të mirë në tabelën e renditjes. Humbja me Tiranën është një gjë që mund të ndodhë, por për ne kjo ishte ndeshje e rëndësishme, ndaj edhe reagimi ishte i tillë. Rikthimi i Daiut sjell qetësi te peqinasit, pasi atyre u mungon edhe zëvendëstrajneri Roland Dervishi, i cili është i pezulluar për shkak të incidenteve të ndodhura në gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Shqipërisë, Shkumbini-Besa, ku ishte protagonist në një konflikt fizik me trajnerin e kavajasve, Shpëtim Duro. Daiu është trajneri i tretë për Shkumbinin në këtë sezon nga Shkumbini. Humbja 1-2 me Besën në Peqin solli largimin e Maganit pas javës së dytë. Ai u zëvendësuar nga beratasi Kristaq Mile, i cili e drejtoi Shkumbinin deri në javën e 15-të, kur bardhekaltrit humbën me Kastriotin në Krujë 4-1. Rasti i Daiut është i ngjashëm me atë të Ramazan Ndreut të Kastriotit, i cili u rikthyer në drejtimin e krutanëve vetëm pak ditë pasi kishte deklaruar dorëheqjen pas humbjes me Skënderbeun në Krujë.
#