Bogdani shënon me kuqezinjtë, por sulmohet nga mediat në Itali
Autori i golit të parë në fitoren e kuqezinjve ka qenë i kënaqur jo vetëm që shënoi por mbi të gjitha për fitoren e përfaqësueses sonë. Erjon Bogdani ka shënuar me kokë dhe ka vrapuar ta ndajë këtë gol me mikun e tij të ngushtë portierin Beqaj në pankinë. “Pavarësisht se miqësore, fitore të tilla vlejnë. Luajtëm ndaj një kundërshtari që është më lart se ne në renditjen e FIFA-s dhe të fitosh ndaj tij nuk është pak, aq më tepër që e kemi mundur edhe në Podgoricë. Jam i kënaqur që shënova edhe unë, ndërkohë që duhet të fillojmë të mendojmë për ndeshjen me Francën, që është shumë e rëndësishme”. Por këtij gëzimi të futbollistit mediat italiane i janë përgjigjur jo dhe aq paqësisht. Pikërisht dje ato shkruanin në faqet e tyre se Bogdani duhet të largohet nga Çezena tashëm që klubi romanjol ka blerë Penarol Guilermo Rodrigez. Kjo blerje duket se do të çojë pikërisht në shitjen e Bogdanit, në mënyrë që të lirohet një vend për një ekstrakomunitar. Tani do të mbetet për t’u zbuluar nëse Çezena do të rikthehet në merkato për të blerë një sulmues të fortë fizikisht, i cili pas largimit të shqiptarit do t’i mungonte kësaj skuadre. Një pistë për zëvendësimin e Bogdanit do të ishte Ghezal. Kjo situatë e shikon Bogdanit të papërfshirë në planet e trajnerit, i cili gjithsesi pak ditë më parë kishte deklaruar se sulmuesi shqiptar i nevojitet ende skuadrës. Gjithsesi, për Bogdanin nuk mungojnë ofertat. Për të interesohet Padova, Novara, por edhe disa klube të huaja. Për momentin pista më e mundshme është ajo e kalimit të tij te Novara, ku luan edhe Samir Ujkani. Por, nga ajo që ka lënë të kuptohet vetë shtatlarti gjatë prononcimit të tij në konferencën për shtyp në Tiranë, transferimi në këtë skuadër do të bëhej vetëm nëse klubi i sapongjitur në Serinë A italiane do t’i ofronte një kontratë dyvjeçare. Në të kundërt, Bogdani zgjedh më mirë të qëndrojë te Çezena.