E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajneri Kuzhe: Kjo fitore vlen për ndeshjen ndaj Francës

Trajneri i përfaqësueses shqiptare është shprehur i kënaqur me mënyrën si reagoi skuadra në ndeshjen miqësore të së mërkurës mbrëma. “Ka qenë një ndeshje që ka patur shumë oshilacione. Në fillim kemi luajtur mirë, kemi kaluar në avantazh, por më pas ka qenë kundërshtari që shënoi dy gola. Pas pësimit të golit të dytë, nuk luajtëm shumë mirë, megjithatë skuadra më pas reagoi dhe arritëm të përmbysim gjithçka. Ka qenë një miqësore e cila na ka vlejtur, sepse duhet të bëhemi gati për ndeshjen me Francën, e cila është shumë më e rëndësishme se kjo. Aktivizimi i lojtarëve në pjesën e dytë ishte efikas, sepse ata dhuruan veprime të bukura në fushën e lojës dhe janë një garanci për të ardhmen” - është shprehur kroati i pankinës kuqezi. Ndërsa është shprehur për Bogdanin edhe Salihi-n: “Këta gola duhet t’u shërbejnë për t’u rritur nga ana psikologjike dhe të mendojnë se mund të shënojnë edhe në të ardhmen. Kuptohet që ndaj Francës mund të jetë tjetër histori dhe ndoshta nuk mund të shënojmë tre gola, por e rëndësishme është të luajmë për ta fituar atë ndeshje. Më ka entuziazmuar shumë goli i Salihit, sepse na dha fitoren dhe ishte shumë i bukur, megjithatë askush nuk mund të habitet me këto gola të Salihit, sepse të tillë gola ai ka shënuar përherë.”- tha Kuzhe.

Cana premton: Do të jemi të frikshëm edhe ndaj Francës

Lideri i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, e njeh më mirë se kushdo futbollist tjetër në kombëtare kundërshtarin e radhës, Francën. “Mendoj se paraqitja jonë në tërësi ka qenë e mirë. Në ndonjë moment edhe kemi gabuar, sidomos në goditjet standarde, por besoj se mund të përmirësohemi dhe duhet të përmirësohemi. Përpara kemi një ndeshje shumë të vështirë me Francën dhe kuptohet që përgjegjësia do jetë shumë më e madhe se në këtë miqësore. Franca e qarkullon më shumë topin dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm në mesfushë, por duhet patjetër edhe të sulmojnë dhe të kërkojmë të godasim portën e tyre. Në fushën tonë kemi treguar se jemi gjithnjë të rrezikshëm dhe kemi bërë gjithnjë mirë. Jemi të frikshëm dhe besoj se kështu do ndodhë edhe ndaj Francës”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›