E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdani, vazhdon balotazhi te Kievo

Sulmuesi

Pasi e ka humbur statusin e sulmuesit kryesor në repartin ofensiv të Kievos, Erjon Bogdani nuk cilësohet më as si zgjedhja e parë mes zëvendësuesve. Kjo konfirmohet nga dilemat që trajneri Mimo Di Karlo ka për sulmin, përpara ndeshjes kundër Palermos. Veronezët do të paraqiten në këtë sfidë pa kapitenin Serxho Pelisier, i cili është i pezulluar me kartonë. Mungesa e tij ka hapur shumë hipoteza. Deri më tani, Pelisier ka munguar vetëm në dy takime: në transfertën me Romën dhe kundër Juventusit. Në ndeshjen e parë, si titullarë u aktivizuan Bogdani dhe Abruskato, me kuqeziun që gjatë lojës u zëvendësua nga Granoke. Ndërsa në sfidën me bardhezinjtë, 32-vjeçari i Kombëtares shqiptare nuk luajti as si zëvendësues, pasi përpara tij, tekniku preferoi De Paulan. Këta dy precedentë bëjnë që të katërt sulmuesit të kenë shanse të barabarta për të luajtur në sfidën me sicilianët. Gjatë këtij sezoni, Erjon Bogdani ka realizuar vetëm dy gola në Serinë A italiane.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›