Paratë e UEFA-s, të klubit, jo të presidentit
Të ardhurat nga pjesëmarrja e Tiranës në Champions League kanë krijuar një sherr brenda familjes bardheblu. Bëhet fjalë për një shumë prej 210 mijë eurosh, e cila ka përfunduar në arkën e klubit, por të cilat presidenti Refik Halili pretendon se mund t’i përdorë për të shlyer rrogat e prapambetura të lojtarëve. Por shefi i klubit Tirana, Rauf Dimraj, shprehet se ato para do të shpenzohen për investime në skuadër dhe jo për pagat e lojtarëve. “Së pari, paratë nuk janë të bllokuara, janë në dispozicion të klubit, për t’i shërbyer cilësisë së këtij klubi, infrastrukturës, bazës materiale dhe ekipeve të moshave të klubit", ka nënvizuar dje shefi i klubit bardheblu, Dimraj. Sa u përket pagesave të futbollistëve, Dimraj ka shpjeguar gjithashtu se ata kanë kontratë me presidentin Refik Halili. “Kontratën e rrogave lojtarët e kanë nënshkruar me zotin Refik Halili. Ai duhet ta zgjidhë këtë çështje, pasi ne paratë do t’i investojmë për realizmin e projekteve të klubit”, përfundoi Dimraj.
#