Fushaj kërkon Kupën e dytë në harkun e tri edicioneve
Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, nuk i ka fshehur ambiciet që të fitojë trofeun e dytë të Kupës së Shqipërisë në tri edicionet e fundit. Drejtuesi më i lartë i klubit shkodran beson se skuadra e drejtuar nga Edi Martini i ka të gjitha mundësitë që të kualifikohet në finalen e 9 majit. Humbja 1-0 në gjysmëfinalen e parë të luajtur kundër Teutës në Durrës bën që kuqeblutë të kenë shanse të mira për t’u kualifikuar dhe për të synuar një “biletë” në kupat e Europës. Optimizmi i Fushajt lidhet edhe me formën e mirë që po kalon Vllaznia gjatë kësaj periudhe, ku në kampionat vijnë pas tri fitoreve radhazi, ndërsa nuk humbasin prej shtatë javësh. “Jam i bindur që Vllaznia do të kualifikohet në finalen e Kupës”, deklaroi njëshi i skuadrës. “Edhe pse Teuta ka fituar takimin e parë, shanset më të mëdha për të vazhduar më tej i kemi ne. Optimizmi im lidhet me momentin e mirë që po kalon skuadra, ku forma e mirë sportive është shoqëruar me rezultate. Për më tepër, me fitoret e fundit në kampionat jemi disi më të qetë. Edhe pse nuk mund të thuhet se kemi shpëtuar, padyshim që vijmë më të përqendruar në këtë gjysmëfinale dhe kemi besim se do të arrijmë në finale”.
#