E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdanoviç: Beogradi kërkon përsëri bisedime për statusin

Ministri Serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç ka deklaruar se Beogradi dëshiron kompromis me Prishtinën për çështjen e statusit të Kosovës. Gjatë qëndrimit të tij në veri të Mitrovicës, zyrtari i qeverisë serbe tha se për Serbinë statusi i Kosovës është i pazgjidhur dhe ai duhet të zgjidhet në dialog me shqiptarët. Sipas tij Serbia është e vetëdijshme që problemet në Kosovë nuk mund t'i zgjidhë e vetme, prandaj kërkon që të bisedojë në mënyrë të qetë, konstruktive dhe pragamtike me shqiptarët e Kosovës.
"Ne natyrisht konsiderojmë se statusi i Kosovës nuk është zgjidhur ende dhe se do ta hapim këtë proces në mënyrë që përfundimisht ta zgjidhim statusin e Kosovës, sepse tani kemi një gjendje kur njëra palë ka fituar gjithçka, kurse pala tjetër, përkatësisht serbët i kanë humbur të gjitha", tha zyrtari i qeverisë serbe.
Ai hodhi poshtë zërat për ndarjen e Kosovës dhe theksoi se Serbia angazhohet që ta ketë në brendësinë e saj Kosovën si tërësi. "Për këtë kemi qëndrimin e qartë të shtetit të Serbisë se nuk është për ndarjen e Kosovës dhe ato deklarata që mund t'i dëgjojmë nga ndonjë zyrtar ndërkombëtar në Prishtinë se Beogradi po bën çmos për të ardhur deri te ndarja e Kosovës janë plotësisht të pavërteta"
"Ne duam që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë, natyrisht nuk duam të qeverisim me shqiptarët, por thjesht duam të jetojmë njëri pranë tjetrit apo njëri me tjetrin", u shpreh z.Bogdanoviç.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›