Bogdanovic vjen në veri, lufton strategjinë

I ashtuquajturi ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, deklaroi sot në Mitrovicë se për bashkësinë serbe është absolutisht e papranueshme strategjia për integrimin e Veriut dhe vendosja e institucioneve të Prishtinës në atë pjesë.
Pas një takimi të zhvilluar me kryetarët e komunave të banuara me shumicë serbe, Bogdanovic ka thënë se Serbia do të luftojë me të gjitha mjetet demokratike dhe legjitime kundër shuarjes së institucioneve serbe në Veri të Kosovës.
“Asnjë lëvizje jona nuk do të shkojë kah destabilizimi i situatës, jo vetëm në Veri të Kosovës, por në gjithë territorin. Do të bëjmë çdo gjë për të mundësuar që institucionet serbe të sforcohen edhe më shumë në këto hapësira”, ka thënë Bogdanovic.
Ai ka shtuar se janë këto institucione meritore për faktin që, siç ka thënë, serbët e Veriut nuk janë zhvendosur prej andej.
Javën e kaluar, Bogdanovic është larguar nga territori i Kosovës, pasi kishte hyrë pa leje të autoriteteve të vendit. Gjatë deportimit nga vendi ynë, Bogdanovic ka deklaruar se do të hyjë në Kosovë kur të dojë, pa kërkuar leje nga askush.